Shtojca për Kulturë

A është e ndershme të mos jesh komunist?

Ernesto Sabato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011)

Ernesto Sabato

Marksi mori nga Hegeli të ashtuquajturën metodë dialektike. Me ç’arsye dhe në ç’shkallë mund të pohohet se dialektika hegeliane mund të jetë e besueshme dhe të vendoset si themel i materializmit, nuk është temë që do ta zhvilloj këtu; do t’ia lejoj vetes t’i kujtoj analizat e bëra te “Njerëzit dhe ingranazhet”. Në këtë moment, më intereson vetëm të theksoj se teoria e një “zhvillimi përmes kontradiktave” duket ta legjitimojë, për pjesën dërrmuese të komunistëve, çdo lloj gabimi. Nga ky këndvështrim kaq i frytshëm, dialektika është e aftë që të justifikojë gjithë serinë e gabimeve të Komunistit Internacional. Por, paradoksi i dyfishtë është që papritmas braktisin metodën dialektike,  për t’u pozicionuar në mënyrë solide në atë që do ta quanin “logjika metafizike”, logjika e po-së dhe jo-së. Kurrgjë të sintezës dialektike: antitezë e pakalueshme.

Jemi tani në mes të një lufte vdekjeprurëse mes kapitalistëve të Amerikës Veriore dhe komunistëve rusë. Duket që tradita më e mirë hegeliane mund të na sugjeronte një sintezë, një lloj “mohimi të mohimit”, duke u vendosur mbi të dy anët. Gabim i pafalshëm: ose je me Moskën ose me Wall Street-in; nënshkruan përulësisht çfarëdo letre që Partia Komuniste prezanton (në hipotezat e shumta të pafajshme të saj) ose je shërbëtor i imperializmit amerikan. Papritmas, këta neo-hegelianë vendosin që procesi i përjetshëm dialektik ka marrë fund. Me të njëjtin ngulmim filozofik me të cilin prof. Hegel vendosi se mishërimi i Idesë kishte mbaruar në Shtetin Prusian dhe në organizmin e tij politik. Ishte dëm për simetrinë metafizike që historia kishte ndjekur drejtimin e saj, duke injoruar këtë vendim të prof. Hegel. Por ja, profesorët e Akademisë së Moskës vendosin ta bëjnë të njëjtën gjë, pa lënë dështimin e mësuesit të tyre t’u shërbejë si mësim.

Që mund të mos jesh komunist e megjithatë i huaj për Wall Street-in e madje kërkues i një regjimi social më njerëzor dhe më të drejtë, mund të vërtetohet me demonstrimin e thjeshtë të personave të tillë. Lista do të mund t’i përfshinte gati të gjithë shkrimtarët e Perëndimit: Thomas Mann, Albert Einstein, Bertrand Russell, Hermann Hesse, Mahatma Gandhi, Benedetto Croce, Nicolás Berdiaeff, G. K. Chesterton, Miguel de Unamuno, Jacques Maritain, Georges Bernanos, Max Scheler, Martin Buber.

Sa i përket teorisë, mund të argumentohet se antiteza Nju Jork-Moskë duhet të kapërcehet në një tip shoqërie socialiste jototalitare, e themeluar në komunitete autentike dhe jo në makina sociale. As individualizmi kapitalist, e as kolektivizmi sovjetik janë zgjidhje vërtet njerëzore, meqenëqë njeriu nuk është një “unë” e izoluar në një ingranazh, por një qenie në komunitet me të ngjashmit e tij.

Është tragjike dhe tragjike që fanatizmi dhe besimi i keq përhapin sofizmin “ose komunist, ose fashist”. Duket që pashmangshmërisht duhej të ishe – në një anë apo tjetrën – mbështetës i terrorit, hakmarrjes, shtypjes, shpifjes, hipokrizisë dhe servilizmit, gjë që karakterizon të gjitha regjimet totalitare.

Shkëputur nga “Heterodoksia”, 1953, botuar në shqip nga “Pema”, 2019.  Përktheu: Fatbardha Statovci