Filmi, muzika nga filmi dhe versionet amerikane të regjistrimeve të para të “The Beatles” u publikuan pothuajse njëkohësisht në fund të muajit të kaluar dhe në fillim të këtij muaji në SHBA, me të njëjtin titull – “1964”. Nëpërmjet internetit, shpejt arritën në pjesën tjetër të botës.
Asnjëra nga tri përpjekjet për ta rigjallëruar temën e vjetër (“The Beatles” në Amerikë, Amerika në “The Beatles”) nuk arriti miratim të veçantë dhe tonet kritike, të paktën nga analistët në “YouTube” dhe në podcaste, janë larg pozitives.
Teza se suksesi në SHBA ishte një moment vendimtar në karrierën e “The Beatles” mund të përvetësohet nga pikëpamja financiare, por në aspektin artistik nuk çon peshë, pavarësisht se rrënjët e tyre muzikore, sikurse edhe modelet dominuese në fazën e parë, ishin përtej Atlantikut.
Filmi “1964”, me producent Martin Scorsese, është një tjetër vlug materialesh të publikuara prej kohësh në “video të përsosura me teknologjinë më të fundit”, ndërsa “skena të papara kurrë më parë” janë kryesisht pjesë të pamjeve të çuditshme nga dy entuziastë të cilëve iu dha leja për të ndjekur nga afër turneun e parë të “The Beatles” në SHBA, me një dëshirë të dukshme ta ndjekur grupin ngado.
Nëse njëqind minutat e filmit sjellin diçka të re, atëherë është fakti befasues që edhe atëherë, vetëm një vit pas sukseseve të para, vëmendja e medias dhe e publikut filloi t’i nevrikosë, ani pse djelmoshat nga Liverpooli deklaruan se kjo ishte “diçka e mrekullueshme”.
Krahas rikujtimit të pritshëm të faktit se në fund të dimrit të vitit 1964, “The Beatles” në SHBA qe një lloj kure për depresionin post-Kennedy, vëmendja i drejtohet edhe faktit se ishin ata që e servuan me sukses muzikën afrikano-amerikanëve te një audiencë e bardhë, veçmas te të rinjtë dhe që arriti për herë të parë t’i bashkojë të gjitha racat në koncert, pa asnjë dallim.
Dëshmitë e disave nga koncerti i parë i “The Beatles” në SHBA, më 11 shkurt 1964 në Washington, janë histori prekëse e rritjes dhe plakjes me grupin më të madh muzikor të të gjitha kohërave.
Pas koncertit, njëri prej tyre udhëtoi me anije për në Liverpool në përpjekje që edhe vetë të bëjë karrierë në muzikë-rock, por ai u dëbua nga Britania e Madhe për punë pa leje dhe dhjetë vjet më vonë, krejt rastësisht, u punësua si tonist në incizimin e një LP-je të John Lennonit.
Tjetri u bë koleksionist fanatik i gjithçkaje që lidhej me katërshen e famshme dhe gjatë prishjes së stadiumit Shea, arriti të blinte një pjesë të vetë karriges në të cilën u ul në koncertin e New Yorkut në gusht të vitit 1965.
Videot bardhezi nga koncerti i Washingtonit, të mbajtur në sallën e Coloseumit, të destinuar për ndeshje boksi, janë teknikisht të përsosura, kanë rezolucion 4K dhe zë shumë të qartë, me një atmosferë të kohës kur brohoritjet e audiencës entuziaste mund t’i sfidojnë edhe përforcuesit e zërimit dhe audio-sistemet.
Krahas filmit, muzika e tij doli krejt befas pa paralajmërim të operatorëve dhe në vend të versioneve “live” të përpunuara, është sjellë një kompilacion krejt i rëndomtë i incizimeve në studio nga periudha prej vitit 1962 deri më 1965 pa një sqarim të qartë se përse ky koleksion mban vitin 1964.
E njëjta gjë mund të thuhet për kompletin e shtrenjtë të pllakave të vinilit, i cili gjithashtu u publikua me të njëjtin emërtim (1964), megjithëse përmban gjashtë albumet amerikane të grupit, në versionet e tyre origjinale. Përveç kompletit, i është shtuar edhe albumi i dyfishtë me deklarata dhe komente, i mungojnë edhe tri versione amerikane të incizimeve origjinale për t'u trajtuar si një set dhe për këtë nuk ka shpjegim.