Shtojca për Kulturë

1389: Heronj e të huaj në “vendin e Prishtinës”

Vendi i betejës, fusha e Kosovës dhe vendbanimet përreth sipas një harte të vitit 1689

Prej një anëpamje të jashtme, cakërrimi masiv midis zotërve feudalë të Ballkanit qendror dhe osmanëve, në “vendin e Prishtinës”, është vetëm një episod përfytje ushtarake. E parë prej një perspektive të brendshme, beteja e vitit 1388 është ngjarje që jetoi si asnjë tjetër në breznitë e mëpasme. Duke shpalosur dy kronika pakashumë të së njëjtës kohë, atë të Laonik Halkokondilit prej Kostandinopoje dhe Martin Segonit prej Novobërde, ngjarja sikur ishte e parathënë të shkërmoqej midis dyzimesh rrëfimore e më pas edhe pluralitetesh vështrimore. Sipas fjalëve të humanistit me prejardhje nga Kotori, fusha e Kosovës mbamendet për “fesatet mes gjindjeve të ndryshme” (celebratum toties diversarum gentium certaminibus). Pra, nuk kishin kaluar as 70 vjet nga beteja e 1389-s dhe Kosova e asohershme ishte shndërruar në njëfarë lieu de mémoire. Në kushtet e një kulture thellësisht heroike, kjo ngjarje tek shqiptarët paramodernë u bë një method of loci, një botë njësish mnemonike për të kujtuar të bâmat e atyre që ndjesoheshin si heronj karshi asaj që ndjesohej si e huaj

Fundqershori i sivjetmë shënon rrum 634 vjet prejse luftëtarë me shpata, jataganë, shqyta, parzmore e tarogza u cakërruan fatalisht në betejën e zhvilluar në titërr të rrafshnajës së Kosovës.

Qysh në krye të herës, kjo betejë në “vendin e Prishtinës” (τῆς Πριστίνου χώρας), po ta citonim një alamet autoriteti të kohës, u disfigurua midis rrëfimesh të ndryshme.

Sa me përkorësi e pohonte këtë i mbrami skion i skribomanëve kostadinopojas, Laonik Halkokondili, kur ajgëtonte se për këtë betejë grekët thonë se ndodhi kështu, por turqit thonë se ndodhi ndryshe (Ἕλληνες μὲν οὖν οὕτω λέγουσι γενέσθαι...δὲ Τοῦρκοι φασι...)!
Pra, seç ka një dyzim rrëfimor qysh në qindvjetëshin e pesëmbëdhjetë, i cili, si ortek bore, me kalimin e kohës u mistifikua si thuajse asgjësend tjetër më parë e më vonë.

Skaj Llapit

Si shënim anësor le të vihet fillimisht në pah një konsideratë me rëndësi. Sipas fjalëve të Halkokondilit, cakërrimi i madh ndodhi në fushën e Kosovës (ἐν πεδίῳ Κοσόβῳ), e që quhej kështu (οὕτω καλουμένῳ) një vend i Prishtinës (τῆς Πριστίνου χώρας). Së këndejmi, informacioni imperial në Kostandinopojë, të cilin e kishte në dorë dhe e shfrytëzonte skribomani bizantin, thoshte që Prishtina ishte tërësia, kurse Kosova vetëm një pjesë e saj. Po ku vallë duhet të ketë qenë në krye të herës kjo Kosovë? Prifti humanist nga Novobërda, Martin Segoni, pak vjet më vonë se Halkokondili, do të shkruante: “vallis Cosoviza cum Labo flumine...” (lugina e Kosovës përgjatë lumit Llap). Po ku më saktë? Në po të njëjtën kalesë, Segoni e kundërvendoste “vallis Cosoviza” me “campus Dubozicae”, që nuk është tjetër përveçse Dumnica e poshtme. Rrjedhimthi, kjo nënkupton se Kosova e njëherë-e-një-kohe ishte e vendosur pakashumë në rrjedhën e mesme të lumit Llap, në një hapësirë jo më në veri se katundi Letanc e jo më në jug sesa Lluzhani.
Heroi i kësaj beteje, të cilit iu dha hisja e lavdisë si dikush që bëri regicid (mbretvrasje), nguci admirim në shekujt që do të pasonin. Edhe vetë Halkokondili në vitet pleqërishte e vlerësonte vrasësin e sulltanit si “më i fismi burrë” (ἄνδρα γενναιότατον).

Një lieu de mémoire për shqiptarët

Nën yrnekun e Mekfersonit, në Evropën e romantizmit u bë shprehi që të sajoheshin mite, heronj e epope kombëtare, porse pati edhe të tilla që nuk ishin aspak stisje e tradita të shpikura.

Beteja e Kosovës dhe vrasësi i sulltanit (të cilin përfytyrimi paramodern shqiptar e njohu si Millosh Kopiliqi) është lieu de mémoire për krejt hapësirën shqiptare, madje befasisht më shumë sesa edhe vetë Skënderbeu.

Në ajrin e pashpresë të shqiptarëve ortodoksë, simbas besojcave të moçme, dita e martë u shndërrua në kujtesë aktive për këtë luftë: askush nuk punonte atë ditë si një tribut i përzishëm për betejën që gorromisi kushedi sa burra.

Kur ushtria serbe zaptoi Elbasanin më 1913, oficeri (e më vonë edhe studiuesi klasicist) Veselin Čajkanović mësoi për ekzistencën e legjendave lokale ku plot banorë të atyshëm rrihnin gjoks se ishin mbasardhës të heroit të Kosovës. Poende, ai në Ohër u bë sypamës i shqiptarëve ortodoksë që kryenin një ritual përshpirtësie për Millosh Kopiliqin.

Image
Në afërsi të logbetejës. Foto e vitit 1911

Miti udhëton në Sul

Ky lieu de mémoire për betejën e njëmijë e treqind e tetëdhjetë e nëntës pikaset në krejt dhéshkronjën shqiptare. Le t’i sipërfaqësojmë vetëm disa prej tyre:

Shkrimtari, Milan Milićević dëgjoi legjenda lokale për betejën e Kosovës edhe nga shqiptarët e Ivan Kullës në Kurshumli.

Konsulli serb në Prishtinë, Branisllav Nushiq, kur rastisi në një vizitë në Sallabajën midis Vushtrrisë e Llapit, mori shënim nga banorët vendës për një legjendë të bukur për Millosh Kopiliqin. Ashtu si një vistër legjendash simotra në Evropë, madje edhe aso arturiane, fatosi tragjik merr kokën e vet të prerë të cilën e vë te një kishëz ku do të prehej për jetë të jetëve.

Të tilla thërmiqe legjendash ka edhe në Prilep të Deçanit, por më së shumti në Drenicë. Kujtimi për betejën e Prishtinës mbërri edhe në malësinë e Sulit sipër Janine: Nicholas Pappas thotë që malësorët suliotë e besonin veten si mbasardhës të atyre çetave që luftuan në Kosovë.

Legjenda të tilla pati rastin të dëgjonte edhe mes kelmendasve konsulli francez në Shkodër, Hyacinthe Hecquard.

Në anën tjetër, folklori sllavojugor, që u shoshit prej fillimit të shekullit të 19-të e këndej, thjesht nuk ka kurrfarë reference as për 1389-n e as për heroin mbretvrasës. Kosova dhe beteja e 1389-s në Serbi e kudo midis sllavofonësh u manifakturua vetëm nga shkolla e publicistika divulgative në kuadër të projekteve historisajuese të shtetndërtimit.

Simbas dëshmisë së shtegtarit francez në këto tërthore, Philippe Du Frasne-Canaye, së paku nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, ndër shqiptarët e Gallapit këndoheshin “këngë trimash” për heroin e Kosovës. Sikur vetëdija kombëtariste ndër shqiptarë të kishte filluar në shekullin e 19-të, bashkë me krijimin e një narrative uniforme kombëtare me “mitin themeltar”, atëherë, thuajse më shumë sesa vetë Skënderbeut, ky nder do t’i takonte Millosh Kopiliqit dhe epopesë së 1389-s. Vetë Halkokondili kur po e gërricte pergamenën për të shkruar për betejën e ndodhur në vendin e Prishtinës, e bëri edhe këtë plotësim plot prudencë: ᾿Αλλὰ ταῦτα μὲν ἴτω, ὅπῃ ἑκάστῳ προσφιλὲς ἡγεῖσθαι περὶ αὐτῶν (Megjithatë secili le t’i mendojë këtë ngjarje sipas qejfit të vet).

Në tren me 1896

Ky korpus kujtesor, në mungesë të tekstualizimit, shpesh do të konvertohej edhe në lëndë të parë për ekzigjenca politike. Në verën e zabullimtë të 1896-s, treni i nisur nga Shkupi për në Mitrovicë po e çante qetësinë rustike me uturimën e tij të tmerrshme dhe shtëllungat e zeza të tymit.

Sapo kalohej Kaçaniku, hekurudha para vetes kishte një fushë të madhe të paanë. Ishte fusha e Kosovës që çikej nga skaji i saj jugor me grunajat e misërishtat e plota që valëzonin nën diellin përcëllues. Në mesin e pasagjerëve në tren ishte edhe historiani, gazetari e shkrimtar serb, Jovan Hadži-Vasiljević. Në një nga librat e tij, ai bashkëndan një histori që me gjasmë e paska dëgjuar prej një bashkudhëtari plisbardhë (të cilin e jep si dikush nga Krasniqët).

“E sheh këtë rrafshnajë” – i paska thënë ai Hadži-Vasiljevićit duke bërë me dorë kah fusha e Kosovës – këtu kemi luftuar bashkë, edhe ju, edhe ne. Aty ku e lëshuat ju flamurin, atë e morëm ne dhe e lartësuam me Skënderbeun”.

Ky shqiptar, për të cilin historiani serb çuditërisht nuk na tregon as kush ishte dhe as nga ishte, i paska thënë atij se këtë histori e kishte me të dëgjuar nga të parët e vet në Krasniqe.

Shqiptari diskursivisht lojal

Për një “historian” të pakulturë, nga ajo skotë që sot prodhohet me të madhe në Prishtinë, ky burim prima facie duket tepër sharmant. Me një lexim të parë, tundimi është gati i parezistueshëm. “Ja edhe një historian serb po e pranon hisen shqiptare në betejën e Kosovës”, është ai zâni i brendshëm në kushtet e një ekzaltimi qesharak.

Por, shpirti shkollaresk nuk rezonon kështu sepse një historian më së paku është punëtor teknik i invertarizimit të të dhënave. Fatmjerisht, historianit rustik i mungon, mes shumë e shumë të tjerash, aftësia për të penetruar midis narrativave e diskursve, ato që përbëjnë brumin e kohërave po aq sa vetë ngjarjet. Anekdota që kallëzon historiani nga Vranja, në të vërtetë, ngjan e sajuar. Një shqiptar i pashkolluar në motin 1986 zor që kishte aftësinë të krijonte projektime tejhistorike në kohë e hapësirë, e aq më pak të krijonte një narrativë ku stërgjyshërit e shqiptarëve dhe serbëve të asaj kohe paskan luftuar krah shoqishojt qysh më 1389. Fjalët e këtij shqiptari janë narrativa e vetë Hadži-Vasiljevićit. Ishte koha kur shteti serb me krejt legjionet e veta me historianë e antropologë po e shtynte përpara paradigmën arnautaš—është, pra, hipoteza namkeqe e cila i sheh shqiptarët e sotëm në Kosovë si serbë të shqiptarizuar nëpërmjet një alkimie të pabesueshme turqizimi e islamizimi. Mesazhi subliminal i teorisë arnautaš ishte krijimi i një rendi disiplinor të gjërave ku vetëm kthimi i Serbisë në Kosovë do të ishte veprimi i natyrshëm për t’i kthyer serbët e tjetërsuar në identitet.

Prandaj, Hadži-Vasiljevići sajon një shqiptar diskursivisht lojal që e përbrendëson këtë strategemë. Është një aso rrengu që i thonë plausible deniability: pra, teorisë arnautaš nuk i duket fare regjisori (historianë e antropologë nga Beogradi), por vetëm një aktor (një “shqiptar” enigmatik në tren) që i flet në mënyrë autonome ato që i janë parashkruar sipas paradigmës.

 

Merlika-Kruja më 1942: Shqiptarët ishin këtu më 1389

81 vjet më parë, kryeministri i asohershëm i Mbretnisë së Shqipnís, Mustafa Merlika-Kruja ndërmori një udhëtim drejt Kosovës. Ishte hera e parë që më i epërmi funksionar në krye të shtetit shqiptar vizitonte zyrtarisht tokat e sapoçliruara që hynë nën juridiksionin e Tiranës.

Si njeri me substancë, nga të rrallët e brezit të vet, krutani Merlika u bë i pari politikan shqiptar që e përmendi betejën e Kosovës sipas prizmit shqiptar. Në vazhdim është një fragment i shkurtër shkëputur prej një fjalimi më të gjatë të mbajtur në Prizren më 1 korrik 1942: “Burra e bija të ndershme të Kosovës së lirë! (...) Ju e dini, e atyne qi s’e dijnë po u diftoj unë se, në 1389, këtu në këtë fushë të Kosovës kanë luftue kundra turqve shumë kombe t’Evropës e ndër to edhe na, Shqiptarët, me Princin t’onë Gjergj Kastriotin, gjyshin e Skanderbegut në krye. Por nuk âsht puna me dijtun se kush ka luftue, kush âsht mundun e kush ka fitue në nji shesh lufte. Âsht puna me dijtun se cili popull âsht i zoti i vêndit, i zoti i tokës”.