Duke qenë i vetëdijshëm për lojën e përçarjes së shqiptarëve në bazë fetare, Ilo Qafëzezi u dallua me frymën e tij integruese midis myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë në bazë të kulturës kombëtare. Në këtë kontekst mund të kuptohet rëndësia e ndërmarrjes së tij për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, pjesa (fashikulla) e parë e të cilit u botua në Rumani më 1921, kurse pjesa e dytë në Korçë më 1927. Vërtet kemi të bëjmë këtu me një ngjarje historike të kulturës shqiptare, e cila kishte jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Turqinë e re qemaliste
Kisha nder kur isha drejtor i Institutit për Studime Humane në Jordani, ta organizoj një konferencë ndërkombëtare më 1998 për përkthimet e Kuranit në gjuhë të ndryshme të botës, në të cilën morën pjesë edhe kolegët nga Kosova, Shqipëria, Bosnja, Bullgaria e vendet e tjera. Në mesin e kumtesave që u botuan arabisht e anglisht më 1999, ishte edhe kumtesa ime për përkthimin e parë shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964), e cila zgjoi interesim pasi që ishte fjala për një intelektual jomysliman që mori përsipër përkthimin shqip të Kuranit si mision kombëtar.
“Djali i Qafëzezit” për identitet shqiptar mbifetar
Ilo Qafëzezi (nga Qafëzezi i Kolonjës) përfaqëson gjeneratën e dytë e rilindësve tanë, i cili bëri emër me aktivitete e vepra në mesin e kolonive shqiptare në Rumani e Amerikë deri më 1924, kur u kthye në Korçë dhe u bë biografi më i njohur shqiptar në periudhën e midis dy luftërave. Përkundër kontributit të tij në kulturën kombëtare shqiptare, Ilo Qafëzezi pësoi shumë nën regjimin komunist deri në vdekjen e tij më 1964.
Qafëzezi e tërhoqi vëmendjen qysh me shkrimet e tij në “Albania” nga 1903 me pseudonimin “Djali i Qafëzezit”, kurse në Rumani u lidh me Asdrenin dhe Nikola Naçon dhe u bë kryeredaktor i gazetës “Shqipëria e Re”. Në Amerikë u aktivizua me shoqërinë “Vatra” dhe e botoi atje librin “Rrësku Arbëror”.
Me frymën e rilindësve, I. Qafëzezi punoi shumë për integrimin e shqiptarëve me anë të kulturës kombëtare, duke punuar për krijimin e një identiteti shqiptar mbifetar, në kohën kur në Shqipërinë osmane e pasosmane vepronin rryma të ndryshme që cenonin identitetin shqiptar në emër të fesë.

Kundër përçarjes për integrim midis myslimanëve e të krishterëve
Duke qenë i vetëdijshëm për lojën e përçarjes së shqiptarëve në bazë fetare, I. Qafëzezi u dallua me frymën e tij integruese midis myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë në bazë të kulturës kombëtare. Në këtë kontekst mund të kuptohet rëndësia e ndërmarrjes së tij për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, pjesa (fashikulli) e parë e të cilit u botua në Rumani më 1921, kurse pjesa e dytë në Korçë më 1927.
Vërtet kemi të bëjmë këtu me një ngjarje historike të kulturës shqiptare, e cila kishte jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Turqinë e re qemaliste. Këtu vlen të përmendet se me zhvillimin e kulturës arabe-islame në shekujt 8-10 vërehet një frymë e hapur ndaj kulturave të tjera, me një lëvizje të madhe të përkthimit të veprave klasike greke e tjera, sa që disa dijetarë kanë lejuar përkthimin e Kuranit në gjuhë tëg tjera që myslimanët e rinj të kuptojnë islamin më mirë në gjuhët e tyre. Mirëpo, kjo frymë e hapur u mbyll me dekadencën që pasoi deri në shekullin XIX, duke ndaluar përkthimin e Kuranit, e duke e konsideruar përkthimin e Kuranit si “mëkat të madh”.
Në këtë gjendje, deri në fillim të shekullit XX, në mesin e shqiptarëve me shumicë myslimane vetëm një pakicë e vogël (ulematë) e dinin të lexonin Kuranin në arabisht e të kuptonte atë, kurse të tjerët mësonin përmendësh disa sure të Kuranit për namaz pa e kuptuar ç’kuptime kanë ato thënie të Zotit.
“…që të dihet cila është ajo cipë qepe misterioze që i ndan shqiptarët muhamedanë nga vëllezërit e tyre të krishterë”
Me shpirtin e tij integrues kombëtar, I.Qafëzezi me stabilitetin e shtetit shqiptar më 1920 e pa të udhës se kjo vepër bazë për kulturën e shumicës të jetë e përbashkët për terë kombin, pra edhe të krishterët shqiptarë të lexojnë atë në gjuhën shqipe e të dinë ç’është besimi i vëllezërve myslimanë. Qafëzezi ishte i vetëdijshëm për rëndësinë, si dhe për rrezikun e kësaj ndërmarrjeje, që një i krishterë ta përkthejë Kuranin në shqip përkundër qëndrimit tradicional të ulemave myslimanë për ndalimin e përkthimit.
Megjithatë, Qafëzezi arriti në parathënie të përkthimit të parë të Kuranit të dalë me qëndrime të arsyeshme për punën e tij në emër të integritetit kulturor të popullit shqiptar që tani gëzonte shtetin e vet kombëtar, pra që nuk është më pjesë e sulltanatit osman.
Kështu, në parathënien e tij, Qafëzezi niset nga motive fisnike që “të dihet, sot ndobare, cila është ajo cipë qepe misterioze që i ndan shqiptarët muhamedanë nga vëllezërit e tyre të krishterë”. Nga ana tjetër, Qafëzezi pranon me keqardhje se ai nuk e ka përkthyer Kuranin nga arabishtja, por nga anglishtja (përkthimi i orientalistit të njohur George Sale, i botuar më 1734), por ai shpreson se do të pasohet me përkthim më të mirë nga një ulema shqiptar nga arabishtja. Me fjalë të tjera, Qafëzezi nuk kishte pretendime, por vetëm motive kombëtare, duke ofruar një përkthim pa gabime e interpretime që prekin “vëllezërit muhamedanë”, që ishte ngjarje e madhe për atë kohë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Republikën turke që u shpall më 1922.
Jehona në Turqi dhe fatvaja kundër përkthimit në shqip
Kështu në parathënien e pjesës (fashikullit) së dytë, që u botua më 1927, Qafëzezi shpreh me modesti përurimet e shqiptarëve myslimanë e të krishterë “jo fanatikë” që i erdhën, sikurse një nderim që i erdhi nga Ministria e Arsimit, por përmend edhe jehonën e këtij përkthimi në shtypin turk më 1922 se “kombi shqiptar” ka tanimë një përkthim të Kuranit, kurse kombi turk nuk e ka atë! Në këtë kontekst mund të kuptohet se si më 1924 u botuan në turqisht dy përkthime të Kuranit në Stamboll, kurse Rijaseti për çështje fetare e ngarkoi poetin e intelektualin e njohur me origjinë shqiptare, Mehmet Akifin, më 1924 ta përkthejë Kuranin, gjë që e kreu më 1936 gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, por nuk u botua.
Ndoshta na habit këtu se mu më 1924, kur filluan në botën islame të dalin përkthimet e reja, myftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra, del në fund të 1924-s me një fatve kundër përkthimit të Kuranit në shqip e turqisht, madje ai kërkon prej myslimanëve të Shqipërisë që të mos lexojnë atë përkthim. Përkundër kësaj fetve, Qafëzezi e nxori në Korçë më 1927 pjesën (fashikullin ) e dytë, duke shprehur falënderim për inkurajimin që gëzoi me rastin e botimit të pjesës (fashikullit) së parë më 1921. Vlen të përmendet këtu se Qafëzezi ua premtoi lexuesve në parathënien e pjesës (fashikullit) së parë më 1921 se ai do të botonte përkthimin në “katër fashikuj”, por ai në parathënien e pjesës (fashikullit) së dytë del me një informatë se përkthimi do të botohet në “10 fashikuj” me një çmim simbolik për çdo fashikull me qëllim që çdo lexues shqiptar të ketë në dorë.
Megjithatë, koha bëri të veten në Shqipëri sikurse në Bosnjë, kështu, tani e tutje vetë ulematë, e më vonë orientalistët myslimanë, morën iniciativën për përkthimin e Kuranit në gjuhën kombëtare në mënyra të ndryshme, pra me interpretime ose thjesht përkthim. Kështu, komuniteti mysliman shqiptar më 1927 mori përsipër këtë punë dhe e ngarkoi Hafiz Ibrahim Daliun (1876-1951) për përkthimin e Kuranit me interpretime, nga i cili doli vetëm vëllimi i parë më 1929 me titull “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”.
Kjo iniciativë e komunitetit shqiptar mysliman u përsërit më 1946, pra në fillim të sundimit të Partisë Komuniste, dhe u krye vetëm vëllimi i parë, por nuk u botua. Kuptohet me Revolucionin kulturor në Shqipëri që u kurorëzua në vitin 1967 me ndalimin e fesë, kjo traditë kulturore kaloi në Kosovë dhe vazhdoi me Bashkësinë Islame këtu deri kur orientalisti ynë i njohur, akad. Feti Mehdiu, e botoi përkthimin e parë komplet të Kuranit në shqip nga arabishtja më 1985, gjë që e hapi rrugën edhe për nja 10 përkthime të tjera deri më tani!
Fragmente nga një punim më i gjatë