Film

Zendaya do të donte të shkollohej në vend se të aktronte në moshë të re

Zendaya

Zendaya

Foto: Associated Press

Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Zendaya, e cila ka filluar të aktrojë që kur ishte fëmijë, afërsisht 14 vjet më parë, ka thënë se do të donte që në vend të aktrimit të shkonte në shkollë.

Ajo filloi të aktronte në projektet filmike si “Shake It Up”, e kompanisë së mirënjohur “Disney”, që nga viti 2010.

“Tani që për herë të parë do të udhëheq një film i cili do të shfaqet nëpër teatro, ndihem sikur po zvogëlohem e nuk po mund t’i shijoj të gjitha gjërat që po më ndodhin. Jam shumë e tensionuar dhe mendoj se kjo më është bërë barrë që kur isha fëmijë e nuk e kisha shansin vetëm të provoj eksperienca të ndryshme”, ka thënë ndër të tjera aktorja.

Duke diskutuar rreth fëmijëve aktorë, ajo ka folur për fillimin e karrierës së saj në film si 14-vjeçe.

“Nuk e di se sa shumë zgjidhje kisha. Kam ndjenja të komplikuara rreth fëmijëve e famës si dhe të qenit në syrin publik apo të jesh aktor fëmijë”, ka thënë Zendaya për revistën prestigjioze Vogue.

Ajo ka treguar tutje se tani që është në moshë madhore e ka kuptuar se ka bërë atë që ka ditur të bëjë, pasi filloi aktrimin që fëmijë dhe që atëherë e mbante familjen.

“Ndihesha sikur të jem shtyrë në një pozitë që u takon të rriturve, po bëhesha ajo që fiton bukën e gojës për familjen çdo ditë dhe po ndodhnin shumë ndryshime rolesh dhe kështu disi u bëra si e rritur”, ka thënë ylli, duke shtuar se tani bën disa gjëra që do t’i bënte si adoleshente sepse nuk ka pasur kohë t’i bëjë kur ishte në atë moshë.

Tani Zendaya është duke promovuar filmin e saj të ri, ku luan përkrah aktorëve Mike Faist e Josh O’Connor.