Pneumonia është shkaku i vdekjes se aktorit të njohur hollywoodian Val Kilmer, ka raportuar TMZ.
Ylli i cili u bë i famshëm me rolet në filmat “Top Gun”, “The Doors” dhe “Batman Forever”, vdiq më 1 prill në Los Angeles, në moshën 65-vjeçare.
Sipas dokumentit zyrtar, shkaku i menjëhershëm ishte pneumonia, por janë listuar edhe faktorë të tjerë që kontribuuan në vdekjen e tij, përfshirë:
Dështimi akut i frymëmarrjes (acute hypoxemic respiratory failure)
Dështimi kronik i frymëmarrjes
Karcinoma me qeliza skuamoze në bazën e gjuhës (një lloj kanceri që Kilmer e kishte pasur më parë)
Kequshqyerja
Trakeostomia (hapje kirurgjikale në qafë për të ndihmuar në frymëmarrje)
TMZ ka raportuar gjithashtu se aktori është kremuar më 7 prill.
Lajmin për shkakun e vdekjes e kishte bërë të ditur vajza e tij, Mercedes Kilmer, për gazetën The New York Times, duke konfirmuar se babai i saj ishte diagnostikuar me kancer të fytit në vitin 2014, por më vonë ishte shëruar.
Val Kilmer ka debutuar në ekranin e madh në vitin 1984 me komedinë “Top Secret!”, por fama globale i erdhi me rolet si: Jim Morrison në filmin biografik “The Doors” (1991), Batman në filmin “Batman Forever” (1995), Iceman në filmin “Top Gun” (1986) dhe më vonë në filmin “Top Gun: Maverick” (2022), ku pati një moment prekës me aktorin Tom Cruise.
Në një intervistë për Jimmy Kimmel Live! në vitin 2023, Cruise e përshkroi ribashkimin me Kilmerin si “jashtëzakonisht emocional”.
“Ai është një aktor aq i fuqishëm, sa menjëherë u shndërrua në karakterin që i kërkohej ta interpretonte”, pati thënë Cruise.