Showbiz

Zayn Malik shtyn turneun në SHBA për shkak të vdekjes së Liam Payne

Zayn Malik dhe Liam Payne

Zayn Malik ka shtyrë turneun e tij të ardhshëm në SHBA pas "humbjes” së shokut të tij të grupit “One Direction”, Liam Payne.

Payne vdiq në moshën 31-vjeçare, pasi u rrëzua nga kati i tretë i ballkonit të hotelit, të mërkurën në Argjentinë, raporton BBC.

Malik ishte gati të fillonte turneun e tij në SHBA javën e ardhshme, duke nisur me një shfaqje në San Francisko të mërkurën.

Megjithatë, këngëtari u ka thënë fansave se po i shtynte shfaqjet.

“Duke pasur parasysh humbjen zemërthyese të përjetuar këtë javë, unë kam marrë vendimin të shtyj turneun në SHBA”.

Pjesa amerikane e turneut të Malik përfshinte gjithashtu Las Vegasin, Los Anxhelosin, Washington DC, duke përfunduar në Neë York më 3 nëntor.

Ai u ka thënë fansave në X se datat do të ricaktohen për në janar dhe biletat do të mbeten të vlefshme për datat e reja.

“Ju dua të gjithëve dhe faleminderit për mirëkuptimin”, ka shtuar ai.

31-vjeçari nuk ka përmendur 11 datat e turneut të tij në Mbretërinë e Bashkuar, i cili pritet të zgjasë nga 20 nëntor deri më 4 dhjetor.

Payne dhe Malik fituan famë globale si pjesë e grupit “One Direction”, i cili u krijua në shfaqjen televizive X Factor në vitin 2010, së bashku me shokët e grupit Harry Styles, Louis Tomlinson dhe Niall Horan.

Malik u largua nga grupi në vitin 2015 për të nisur një karrierë solo, dhe grupi u nda më vonë në vitin 2016.