Ylli amerikan i zhanrit R&B, Angie Stone, ka vdekur në moshën 63-vjeçare pas një aksidenti rrugor, raporton BBC.
“Nëna ime s’është më në mesin tonë”, ka shkruar vajza e saj Diamond Stone në rrjetin social Facebook.
Stone kishte pësuar lëndime të rënda kur një furgon me të cilin ajo po udhëtonte ishte përmbysur në Alabama të shtunën.
Artistja, që ishte zëri i hiteve “No More Rain (In This Cloud)” dhe “Wish I Didn’t Miss You”, ishte nominuar për tre çmime Grammy në karrierën e saj. Ajo e kishte filluar karrierën në vitet e 70-ta si anëtare e grupit të hip-hopit “The Sequence”.
“Zëri dhe shpirti i Angie Stone do të jetojnë përgjithmonë në zemrat e atyre që ajo i preku”, ka thënë publicisti i saj për CNN.