Showbiz

Williams: Do të doja t'u nënshtrohesha sërish testeve shkollore për t'i përmirësuar notat

Robbie Williams

Foto: Associated Press

Ylli i muzikës, Robbie Williams, ka thënë se do të donte të rikthehej në shkollë e t’u nënshtrohej sërish testeve për ta vërtetuar se është nuk është “budalla”.

Ai u pat larguar nga shkolla me pak kualifikime pasi kishte dështuar në shumicën e provimeve. 
Por tani ka thënë se do të dëshironte të kthehej dhe t’i japë një tjetër mundësi vetes, pasi siç ka thënë ai, “ka kaluar vite duke menduar se ishte njeri i paditur” për shkak të kishte disleksi, çrregullim i të mësuarit, kur fëmija ka probleme me lexim.

“Nuk kam marrë asnjë notë më të lartë se D dhe në të gjitha provimet dështoja ose nuk shkoja fare. Dua shumë të kthehem dhe t’i përmirësoj ato ... Unë gjithë jetën kam ndjerë se isha shumë budalla, sepse në vitet ‘70 dhe ‘80 në nuk dinim për disleksinë. Kam disleksi, disleksi në matematikë, ADHD, por atëherë nuk i kishim këto diagnoza, kështu që u largova nga shkolla duke menduar se isha budalla dhe më ka marrë shumë kohë për ta tejkaluar këtë”, ka thënë ai për revistën The Sun.

Ai ka thënë se dëshiron ta provojë veten duke shtuar se nuk është "budalla".

“Tani që e thashë këtë, po shqetësohem... ndoshta jam!”, ka thënë Williams me shaka.

Këngëtari gjithashtu ka sugjeruar se mund të ishte ide interesante ta bënte një shfaqje televizive, ku ai do të rikthehej në shkollë në një mënyrë të përshtatshme për moshën.

Robbie Williams si fëmijë

“Nuk e mbaj mend emrin e mësueses sime të anglishtes, por po mendoja se do të mund të bëhej një shfaqje interesante, ku duhet të kthehem në shkollë ... por sigurisht në një mënyrë që i përshtatet moshës time!”, ka shtuar ylli.

Këto deklarime ai i ka bërë pasi ka njoftuar se tani është “më mirë” se që ka qenë ndonjëherë në aspektin e shëndetit mendor, siç ka thënë, falë dashurisë dhe mbështetjes nga gruaja e tij, Ayda Field, dhe katër fëmijët e tyre. 

Ai ka pranuar se ka luftuar me probleme të shëndetit mendor dhe se gjatë periudhave më të suksesshme të karrierës nuk ka mundur t'i gëzonte sukseset.

“Kam kaluar disa dekada, ndoshta edhe më shumë, me depresion, ankth, agorafobi, disleksi, të gjitha gjërat me të cilat i diagnostikojmë miqtë tanë nëpër darka, i kam unë”, ka thënë ai.

Williams ka thënë se përmes punës me veten, kërkimit të ndihmës dhe dashurisë që i kanë ofruar gruaja e katër fëmijët e tyre tani është më mirë se që ka qenë ndonjëherë.