Tepihu i kuq i Festivalit të Cannes pati stile të larmishme veshjesh, duke filluar nga kapelat me strehë të gjerë, e deri te fustani i aktores Cate Blanchett, përfundi të cilit u fsheh ngjyra e flamurit të Palestinës.

Veshja e Cate, e cila është punuar nga disenjatori franzes i lindur në Kolumbi, Heider Ackerman, nga marka e njohur e modës “Jean Paul Goultier” është më e diskutuara e këtij tepihu të kuq.
Si “propalestineze” u cilësua edhe veshja e modeles së famshme Bella Hadid, e cila kur doli të hante akullore në Cannes, kishte veshur një fustan nga disenjatorët “Michel and Hushi” të inspiruar nga shallet e famshme të palestinezëve, që njihen si “keffiyeh” me ngjyra bardh e kuq. CNN ka shkruar se ajo po nderonte babin e saj, Mohamed Hadid, i cili është palestino-amerikan.

Ngjyra e bardhë dhe ajo e zeza, ishin ato që dominuan tepihun e kuq të festivalit sivjet dhe vëmendjen më të madhe të kritikëve dhe njohësve të fushës e mori muzikantja dhe modeleja franceze, Yseult, e cila parakaloi mbi tepihun e kuq me veshjen ikonike të markës “Dior”, nga koleksioni “New Look”, sakoja e mirënjohur e bardhë me pulla, dhe fundi i zi me pala, të cilat, Yseult i kombinoi me këpucë të zeza, një palë doreza lëkure të zeza dhe një kapelë nga kashta e zezë.

Me dukje të ngjashme por me ngjyrë të kuqe, nga marka “Dior”, u shfaq modelja norvegjezo-somaleze, Rawddah Mohamed.

Dukja e aktores Merylk Streep, e cila u nderua me çmimin prestigjioz “Palma e Artë”, për veprimtarinë e saj në film, po ashtu mori vëmendje të madhe. Ajo në paraqitjen parë u vesh me një kapele të bardhë nga marka “Gigi Burris”, kostum të bardhë, përfundi të cilit kishte një këmishë me vija bardh e kaltër, nga marka e mirënjohur "Michael Kors", syze “Prada” e këpucë “ Jimmy Choo”. Ajo më vonë u ndërrua dhe veshi një fustan të bardhë të gjatë, me mëngë të gjata, të cilin e kombinoi me një çantë të vogël dore, ngjyre rozë të lehtë.

Modelja e mirënjohur Naomi Campbell kishte veshur një fustan të zi, në tërësi me sedefe, të punuar nga i ndjeri Karl Lagerfeld për koleksionin vjeshtë-dimër 1996 të markës “Chanel”.

Ylli Ava Green, pati një dukje bardh e zi, nga marka “Chanel”.
Bardh e zi u vesh edhe aktorja e mirënjohur Demi Moore. Ajo, në njërën nga netët e festivalit, u shfaq mbi tepih të kuq me një fustan të bardhë me pika të zeza nga marka “Elie Saab”.

Moore edhe në herë tjetër u shfaq me veshje të bardha e edhe të zeza.
Aktorja Anya Taylor Joy, kishte veshur fustan me ngjyrë krem e shkëlqim, nga marka “Dior”.
Më vonë, Anya, u shfaq me dukje të tjera, përfshirë edhe trendin “bardh e zi”, kur u shfaq një herë me një fustan të bardhë e një kapele kashte, lidhësja e të cilës ishte e zezë, si dhe një tjetër herë me një kostum të zi, dekolteja e të cilit ishte e dokuruar me të bardhë.


Ylli Uma Thurman, veshi fustan nga mëndafshi me ngjyrë të bardhë kremoze, të markës “Burberry”.
Me një fustan të zi, të dekoruar me pala në pjesën e lartë, nga marka “Saint Laurent”, u shfaq aktorja Selena Gomez.

Me kostum të bardhë me perla e dantelë, nga marka australiane “Ralph and Russo”, u shfaq modelja e mirënjohur Winnie Harlow, e cila veshjen e kishte shoqëruar me një kapelë të bardhë me strehë të gjerë.

Është raportuar se veshjet mbi këtë tepih të kuq, ishin sa dramatike aq edhe të larmishme sa që The Guardian ka ndarë në dy pjesë veshjet që dominuan festivalin këtë vit.
Ndërkohë që në natën e hapjes së festivalit, modelja Heidi Klum, u shfaq me një fustan të gjatë të kuq e më volum nga disenajtori libanez Saiid Kobeisy, aktorja e mirënjohur Jane Fonda, u shfaq me një veshje të zezë të qëndisur me gurë, nga disenjatori Elie Saab. Kurse akorja Lily Glastone kishte veshur një fustan që ishte i punuar në tërësi me sedefe vezulluese nga brendi "Gucci".

Presidentja e parë femër e jurisë së këtij festivali, regjisorja e mirënjohur amerikane, Greta Gerwig, mbi tepih të kuq, në natën e hapjes së festivalit, parakaloi me një fustan të punuar në tërësi me sedefe ngjyrë vjollcë të mbylltë nga marka “Saint Laurent”.
Ndërkohë që foli për revistën Vogue, stilistja e saj, Karla Welch, ka thënë se ndërkohë që rrespektojnë rregullat edhe bëjnë siç ju do qejfi.

“Po i praktikojmë të dyja”, ka thënë ajo, ndërkohë që Greta, në netët tjera, është parë me fustane nga markat "Armani Prive" dhe "Channel".
Me sedefe vezulluese u shfaq edhe aktorja Lea Seydoux, me fustan nga marka “Louis Vuitton”.
