Aktori i filmit “Pirates of the Caribbean”, Tamayo Perry ka vdekur pasi është sulmuar nga peshkaqenët teksa bënte sërf në Hawaii.
49-vjeçari ka vdekur të dielën pasdite, kanë konfirmuar shërbimet e emergjencës së Honolulusë. Shërbimet janë thirrur në plazhin Malaekahana rreth orës 13:00. Por Perry, që ishte gjithashtu roje plazhi, është deklaruar i vdekur nga stafi mjekësor, pasi ishte sjellë në breg me ski jet.
Perry ka qenë aktor në “Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides”, që është seria e katërt e filmit “Pirates of the Caribbean”. I lindur në pjesën lindore të Oahu, Perry ka qenë duke bërë sërf profesionalisht për më shumë se një dekadë.
Ushtruesi i detyrës së shefit të Sigurisë së Oqeanit në Honolulu, Kurt Lager, ka thënë se Perry ka qenë “roje plazhi i dashur nga të gjithë”, duke shtuar se ai ka qenë i njohur në bregun verior të Oahu.
"Personaliteti i Tamayo kishte shumë ndikim dhe aq sa njerëzit e donin atë, ai i donte të tjerët më shumë. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen e Tamayos”, ka deklaruar ai.
Kryebashkiaku Rick Blangiardi, e ka quajtur vdekjen e Perryt “humbje tragjike” dhe ka bërë thirrje që familjes së Perryt t’i jepet privatësi për të vajtuar.