Showbiz

Vdekja e Matthew Perryt vë në pah varësinë e Hollywoodit në ketaminë

Matthew Perry

Matthew Perry

Vdekja e aktorit të njohur, Matthew Perry, ka vënë në pah shumë të pathëna rreth varësisë së drogës që kanë personat e famshëm dhe doktorët që ua mundësojnë llojet e ilaçeve “qetësuese”.

Vdekja e Perryt, ku janë të përfshirë disa doktorë, asistenti i tij personal, e disa persona të tjerë, të cilët e ndihmuan aktorin ta merrte ilaçin qetësues me emrin “ketaminë”, ka sjell në sipërfaqe se si nëntoka e Hollywoodit është “kontaminuar” me droga që përshkruhen nga doktorë që nuk thonë “jo”, pavarësisht që kanë bërë betimin e Hipokratit.

BBC ka shkruar se para se Perry të hipte në vaskën e njohur si jacuzzi, në shtëpinë e tij, që kishte pamje nga qyteti i Santa Monicas, i ka thënë asistentit të tij gjashtë fjalë, të cilat mendohet të jenë të fundit të tij: “Shoot me up with a big one” (ma injekto një dozë të madhe).

Pasi dolën në shesh dokumentet gjyqësore, “e madhja” doli të jetë doza e ilaçit me emrin ketaminë, anestezion që vjen me përshkrim nga mjeku, i cili u bë i njohur për trajtimin e depresionit. Ishte injeksioni i tretë që aktori mori ditën që vdiq.

Disa orë pas asaj doze fatale, aktori i serialit “Friends” u gjet me kokë poshtë në vaskë dhe doktorët thanë se ka vdekur si pasojë e mbidozës së ketaminës.

Detajet nga “prapaskena” e kësaj ngjarjeje që u zbuluan nga autoritet bënë që të akuzoheshin pesë të dyshuar.

Doktorë e ekspertë i kanë thënë BBC-së se rritja e popullaritetit të ketaminës ka bërë që tregu i barnave të tilla në Hollywood  të “eksplodojë”, me zgjerim në klinika ku përdoret ketamina e shërbime online ku ofrohet përshkrimi i saj ndërkohë që gjendet shumë lehtë.

“Është tepër lehtë ta marrësh, si nëpërmjet nëntokës ashtu edhe nga përshkrimi mjekësor”, ka thënë doktori.

David Mahjoubi, i cili shërben në Bordin Amerikan të Fizicientëve të Ketaminës, i cili ka treguar se ka të famshëm që e marrin përshkrimin prej tij.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se vdekja e Perryt ka zbuluar një “rrjet të gjerë kriminal të nëntokës” të cilët distribuojnë sasi të mëdha të ketaminës nëpër Los Angeles.

Dokumentet gjyqësore kanë treguar se muajt e fundit të Perryt ishin njëlloj tranzicioni, pasi ai po trajtohej në një klinikë kundër depresionit me doza të rregullta të ilaçit ketaminë, e më pas ra në duar të disa doktorëve “të paskrupullt” e rrjet shitësish që i ofronin doza sa të donte.

“Trajtimi ‘vip’ shpesh nuk është trajtimi më i mirë”, ka thënë doktori, Gerard Snacora, drejtor i programit për studimet kundër depresionit në Yale University.

Ai ka thënë se edhe doktorët janë njerëz, ani pse bëjnë betimin e Hipokratit, jo gjithkush bën çka thotë premtimi.

“Doktorët mund ta humbin arsyen kur takojnë klientë ‘vip’ dhe hasin në premtime për t'i ftuar në festa të mëdha, në ndeja donacionesh e bamirësie”.

Doktori tjetër, Mahjoubi, i cili operon në dy klinika të ketaminës në Kaliforni, ka thënë se është shumë e vështirë të mbahet një raport i mirëfilltë me kufij normal, kur të famshmit janë pacientë.

Ai ka treguar se ia ka ofruar një të famshmi ( të cilit nuk ia tregoi emrin) se i ka ofruar numrin e tij të telefonit që ta ketë në raste urgjente, ndërkohë që i famshmi filloi t'i kërkonte favore.

“I kam thënë, ‘shiko, të lutem më dërgo e-mail për gjithçka që ka të bëj me çështje mjekësore’ dhe e kam bllokuar”, ka thënë doktor Mahjoubi, i cili ka thënë gjithashtu se e ka parë që ketamina është bërë drogë që po përdoret shumë nëpër festa të ndryshme.

Një tjetër doktor, i cili foli në kushte anonimiteti, zgjerimin e rrjetit dhe përdorimin e ketaminës e ka quajtur “wild west”, duke theksuar se e ka tejkaluar normën.

“Gjithkush këtu dëshiron të bëhet doktor i yjeve. Disa shkojnë aq larg sa ofrojnë trajtime falas ose mbyllin klinikat për të ofruar shërbim private, duke shpresuar se të famshmit të ndajnë në rrjete sociale trajtimin që morën në klinikën e tyre”, ka thënë doktori anonim.

Ai ka cekur se shumë nga këta yje që marrin këso lloj shërbime mësohen që doktorët gjithnjë të iu thonë “po”.

“Nëse nuk ju thua ‘po’ ata thjesht shkojnë të dikush tjetër që ju ofron atë që duan”, ka shpjeguar ai.

Të akuzuar në rastin e Perryt janë: asistenti i tij Kenny Iwamasa, i cili ka pranuar fajin, doktori Salvador Plasencia, i cili e pajisi aktorin me sasi të mëdha të ketaminës dhe që nuk e ka pranuar fajin, doktori Marc Chavez, i cili pranoi fajësinë dhe ka pranuar se i ka shitur ketaminë dr. Plasencias.

Akuzohet edhe Jasveen Sangha, të cilën autoritetet e përshkruajnë si “mbretëresha e Ketaminës” dhe është kontrabaduese në rrugë, për të cilën gjykata thotë se punon vetëm me klientë të famshëm dhe të pasur.

Ajo është e akuzuar për furnizim me dozën e drogës që mbyti Perryn.

Jasveen Sangha
Droga që autoritet gjetën në shtëpinë e Jasveen Sangha

Autoritetet bastisën shtëpinë e saj, ku gjetën sasi të mëdha të drogës, përfshirë dhjetëra shishe me ketaminë e qindra pilula. Ajo u deklarua e pafajshme ndaj të gjitha akuzave.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Eric Fleming, një njeri për të cilin autoritetet thonë se mori ketaminën nga Sangha dhe e çoi tek Perry e asistenti i tij. Ai ka pranuar fajësinë se ka çuar ketaminën tek Perry.