Vdekja e aktores koreano-jugore Kim Sae-ron, në moshën 24-vjeçare, ka nxitur thirrje për ndryshime në mënyrën se si trajtohen personalitetet e famshme në Korenë e Jugut, veçanërisht në media dhe në rrjete sociale, ku kritikët thonë se krijohet një kulturë e ngacmimeve dhe sulmeve, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Sae-ron, e cila filloi karrierën e saj si aktore që në fëmijëri dhe u bë e njohur për rolet e saj në disa filma, përfshirë “The Man from Nowhere” (2010), të dielën u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Seul, nga një mik.
Agjencia Kombëtare e Policisë ka deklaruar se nuk dyshon për krim dhe se Sae-ron nuk ka lënë asnjë shënim pas vetes. Pas një incidenti që ka ndodhur në vitin 2022, ku ajo u arrestua pasi kishte ngarë veturën në gjendje të dehur dhe u dënua me gjobë nga gjykata, Sae-ron kishte pasur vështirësi të gjente punë, dhe shumë herë është kritikuar në mediat koreano-jugore për sjellje të tilla. Pjesa më e madhe e kritikave ka qenë për postime dhe veprime të përditshme të aktores, si festat me miqtë apo kritika lidhur me mungesën e mundësive profesionale, duke nxitur komente të ashpra dhe negative nga publiku.
Për pasojë, shumë gazeta dhe faqe lajmesh në Korenë e Jugut kanë reaguar pas vdekjes së Sae-ron me artikuj që shprehën keqardhje, por gjithashtu nënvizuan nevojën për ndryshim në trajtimin e personaliteteve të famshme në vend.
Ani pse disa mediat shprehen se rrjetet sociale janë përgjegjëse për shpërthimin e ngacmimeve ndaj të famshmëve, disa analistë kanë theksuar se vetë mediat kanë kontribuar shumë përmes titujve provokues dhe artikujve që theksojnë vetëm vuajtjet e këtyre individëve për të tërhequr lexuesit.
“Mediat vazhdojnë të shfrytëzojnë tragjedinë e Sae-ron për klikime, duke nxjerrë në pah problemet e së kaluarës së saj, madje edhe pas vdekjes”, ka shkruar gazeta Hankook Ilbo.
Po ashtu, Grupi i Shoqërisë Civile për Mediat Demokratike kritikoi këtë raportim të mediave, duke thënë se at po e mbingarkojnë problemin vetëm në rrjetet sociale dhe nuk po përballen me përgjegjësinë për mënyrën e raportimit.
“Përfshirja e mediave në këto fushata dëmtuese është po aq e rëndësishme sa vetë komentet negative në rrjetet sociale”, thuhet në një deklaratë.
Vdekja e Sae-ron ka ngjallur disa kujtime të ngjarjeve të ngjashme, si vdekjet e dy këngëtareve koreano-jugore, Seol-li dhe Goo Hara, si dhe të aktorit Lee Sun-kyun, të cilët gjithashtu u ndikuan negativisht nga kritikat dhe ngacmimet në rrjetet sociale dhe mediat koreano-jugore.
Me kalimin e kohës, ka pasur thirrje për ndryshime në mënyrën se si trajtohen figurat publike, duke kërkuar një atmosferë më të mirëkuptueshme dhe më pak të ashpër për ata që përballen me presionin e famës.