Ndaj reperit, P.Diddy, janë ushtruar edhe tri padi të reja. Për krime seksuale po e akuzojnë edhe dy burra dhe një grua, e cila pretendon se në kohën kur ishte sulmuar ishte e mitur.
Përveç këtyre padive, kundër reperit, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, janë duke u përgatitur edhe padi të tjera, ndërkohë që ai po qëndron në burg.
Shtatë padi gjithsej janë ushtruar të dielën në Gjykatën e New Yorkut, nga avokati Tony Buzbee, ndërkohë që nuk është zbuluar identiteti i asnjërit prej paditësve, ka shkruar NBC News.
Në dy nga këto padi, ngritur nga dy burra anonim, thuhet se Combs i ka sulmuar seksualisht, veçmas, në vitin 2022, kurse në padinë e tretë, pretendohet se reperi e ka dhunuar një grua, kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe.
Avokati nga teksasi, i cili përfaqëson rastet në fjalë, ka thënë se po planifikon që çdo jave të dorëzojë padi kundër Combsit.
“Do t’i lëmë pretendimet e ngritura të flasin vet dhe do të punojmë që të vihet drejtësia në vend. Presim që të dorëzojmë ankesa çdo javë, kundër Combsit dhe bashkëpunëtorëve të tij ndërkohë që vazhdojmë të mbledhim prova, ndërsa përgatisim paditë”, ka thënë në një deklaratë Buzbee.
Javën e kaluar, Buzbee i ka dorëzuar edhe gjashtë padi të tjera kundër reperit dhe më parë ka thënë se është duke bërë gati 25 padi të të miturve dhe se ka për qëllim t’i vihet pas çdokujt që është i përfshirë në krime.
“Nëse ke qenë në dhomë, ke marrë pjesë, e ke parë të ndodhë dhe s’ke thënë asgjë dhe ke ndihmuar që të fshihet krimi, nga këndvështrimi im, ti ke një problem”, pati thënë Buzbee në një deklaratë.
Ndërkohë Combs është arrestuar muajin e kaluar në New York dhe mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, edhe pse kishte ofruar dorëzani prej 50 milionë dollarësh.