Showbiz

Universiteti "Howard" tërheq mirënjohjen që ia kishte dhënë P.Diddyt

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Universiteti "Howard" në Washington, i cili historikisht njihet si institucion i personave me ngjyrë, ka bërë të ditur se bordi drejtues ka vendosur në mënyrë unanime ta tërheqë mirënjohjen që ia kishte dhënë këngëtarit të famshëm P.Diddy, gjatë ceremonisë së diplomimit më datë 10 maj të vitit 2014, raporton AP.

Bordi i këtij Universiteti ka bërë të ditur se pas padive ndaj Diddyt, si dhe pas videos ku ai shihet duke ushtruar dhunë fizike ndaj ish-partneres së tij, këngëtares Cassie, vendosi ta tërheqë mirënjohjen që i kishte dhënë këngëtarit në vitin 2014.

“Bordi i Universitetit të Howardit ka votuar në mënyrë unanime të pranojë kthimin e mirënjohjes që i kishim dhënë z. Sean Diddy Combs në vitin 2014. Ky pranim revokon të gjitha nderimet dhe privilegjet që kanë lidhje me këtë dokument. Sipas marrëveshjes, Bordi ka urdhëruar që emri i tij të tërhiqet nga të gjitha dokumentet ku citohet të jetë i nderuar nga Universiteti Howard. Sjellja e z. Combs, e cila u pa në videon që u publikua së fundmi, është në mënyrë thelbësore në mospërputhshmëri me vlerat esenciale dhe besimin e universitetit ‘Howard’, prandaj nuk konsiderohet më të jetë i denjë të mbajë nderimin më të madh të këtij institucioni. Universiteti është i palëkundur si opozitë ndaj akteve të dhunës ndërpesonale”, thuhet në deklaratën e Universitetit.

Përveç kësaj, bordi gjithashtu ka udhëzuar administratorët e universitetit të ndërpresin lidhjet financiare me Combsin, duke përfshirë kthimin e një kontributi prej 1 milion dollarësh, përfundimin e programit të bursave dhe shpërbërjen e një marrëveshjeje dhuratë që kishte bërë Fondacioni Sean Combs në vitin 2023.

Pasi mediumi CNN kishte publikuar videon e kamerave të sigurisë së një hotelit, që shfaqte këngëtarin duke ushtruar dhunë fizike mbi partneren e tij të atëhershme, Diddy ka kërkuar falje publikisht përmes një videoje që postoi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.

Diddy, që nga fundi i vitit të kaluar ka marrë gjithsej tetë padi për dhunë fizike e seksuale si dhe trafikim me qenie njerëzore, drogim e shumë akuza të tjera.

Lexo edhe:

P.Diddy shet aksionet që kishte në kompaninë që e themeloi - KOHA.net

P.Diddy paditet për herë të shtatë brenda gjashtë muajsh - KOHA.net

Del një video ku shihet P. Diddy duke e rrahur ish-të dashurën - KOHA.net