Shtëpia diskografike që përfaqëson artistët Drake dhe Kendrick Lamar ka kërkuar të rrëzojë padinë për shpifje të Drake, duke argumentuar se teksti i këngës së Lamarit “Not Like Us” është thjesht pjesë e një “beteje” tipike hip-hop.
Me këngën “Not Like Us”, Lamar ka shënuar një nga "dissat" më të suksesshme në historinë e hip-hopit. Por kjo përplasje mes dy artistëve ka marrë përmasa ligjore. “Universal Music Group” (UMG), kompania diskografike që përfaqëson të dy reperët, ka kërkuar që Drake të hedhë poshtë padinë e ngritur, duke argumentuar se kënga është një seri hiperbolash, një praktikë e zakonshme në përplasjet mes reperëve, ka raportuar The New York Times.
Në një kërkesë drejtuar Gjykatës së New Yorkut, UMG i është përgjigjur për herë të parë padisë së Drake, i cili e akuzon shtëpinë diskografike për shpifje dhe nxitje të dhunës. Në dokumentet e dorëzuara, Drake pretendon se kënga “Not Like Us” e paraqet atë si një “kriminel pedofil” dhe se e ka ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës, duke i bërë thirrje publikut “të marrin drejtësinë në duart e tyre”.
Kjo këngë, e cila përmban akuza të forta ndaj reperit kanadez, u bë një sukses i jashtëzakonshëm, duke fituar pesë çmime “Grammy”. Këtë këngë Lamar e ka performuar edhe në shfaqjen e Super Bowl.
UMG: Drake e humbi betejën dhe tani po akuzon shtëpinë e tij diskografike
“Universal Music” ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj padisë së Drake, duke thënë se ai ka “humbur një betejë që e nisi vetë dhe tani po padit shtëpinë e tij diskografike për të shëruar plagët”.
Në dokumentet e paraqitura, UMG ka argumentuar se hip-hopi është art që bazohet te metaforat dhe hiperbolat dhe se padia e Drake kërcënon lirinë artistike.
“'Dissat' janë një formë e njohur dhe e vlerësuar e artit, e mbushur me fyerje të ekzagjeruara. Nëse padia e Drake do të pranohej, do të krijonte një precedent të rrezikshëm për industrinë e muzikës”, thuhet në argumentin e UMG-së.
Nga ana tjetër, avokatët e Drake kundërshtojnë, duke theksuar se kënga kaloi çdo kufi të lejueshëm, pasi sipas tyre, ajo përmbante akuza të paraqitura si fakte. Ata veçojnë faktin që ballina e këngës paraqiste një hartë të shtëpisë së Drake me shenja të personave të dënuar për abuzim seksual, një veprim që sipas tyre ka çuar në sulm të armatosur ndaj banesës së reperit, ku u plagos një nga truprojat e tij.
Universal: Asnjë person i arsyeshëm nuk do ta merrte seriozisht këtë këngë
Shtëpia diskografike ka mohuar se promovimi i këngës ka nxitur dhunë ndaj Drake dhe ka argumentuar se akuzat e bëra nga reperi kanadez janë të pabaza.
“Asnjë dëgjues i arsyeshëm nuk do të besonte se harta e publikuar me shtëpinë e Drake ishte e vërtetë. Imazhet dhe tekstet janë satirike dhe të ekzagjeruara, ashtu siç janë të gjithë 'dissat' e mëparshme”, shkruhet në dokumentet e UMG.
Në dosjen ligjore, UMG ka theksuar gjithashtu se Drake vetë ka përdorur të njëjtën taktikë në këngët e tij kundër Lamar, përfshirë “Taylor Made Freestyle”, ku ai e akuzon Lamarin se “i pëlqejnë vajzat e vogla”.
Nëse gjykata e refuzon padinë e Drake, kjo mund të vendosë një precedent të rëndësishëm mbi atë se deri ku mund të shkojë liria artistike në hip-hop. Pavarësisht kësaj, përplasja mes dy reperëve ka dominuar diskutimet mediatike, duke bërë që të dy artistët të përfitojnë nga publiciteti i madh.
Ndërkohë, Drake vazhdon të fokusohet në muzikën e tij: albumi i tij i fundit “Some Sexy Songs 4 U” debutoi në vendin e parë të top-listave të "Billboard", duke e shënuar si albumin e tij të 14-të që arrin këtë sukses.