Showbiz

Tom Hardy në premierën e filmit “Venom”

Tom Hardy

Ylli britanik, Tom Hardy, parakaloi mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën botërore të filmit “Venom: The Last Dance” në Londër.

I njohur për role ikonike si Bane në filmin “The Dark Knight Rises” dhe binjakët Kray në “Legend”, Hardy tha se qasja e tij ndaj personazhit shumë të pëlqyer të librave komik, Venom, ishte e njëjtë me metodat që i përdor edhe në rolet që janë pak më sfiduese.

“Nuk më duken personazhe komplekse sepse për mua është thjeshtë aktrim. Në momentin që arrij të bëjë diçka që i pëlqen gjithë të tjerëve dhe që shërben si shtyllë e krijimit të një personazhi, si vokali dhe ana fizike, më pas gjithçka ka të bëjë me lojën e aktrimit dhe sjelljen në ekran të materialit që e posedojmë”.

Derisa kësaj trilogjie po i vjen fundi, fansat hamendësojnë se do të kenë mundësi ta shohin personazhin e alienit qesharak, Venom, në filmin e ardhshëm të superheroit Spider-Man. Por, Hardy nuk e ndanë të njëjtin mendim.

“Nuk e shoh atë në filmin e ardhshëm ‘Spider-Man’, sepse deri më tash do të më ofrohej një skenar për atë projekt, gjë që nuk e kam”.

Kelly Marcel i ka shkruar skenarët e tre filmave “Venom”, dhe në vazhdimin e fundit ajo debuton edhe si regjisore. Suksesin e këtyre filave, ajo ia dedikon shoqërisë së kamotshme që e ka me Tom Hardyn.

“Unë dhe Tom jemi miq për më shumë se 20 vjet, prandaj ka qenë një rrugëtim vërtetë i bukur t’i kalonim këto tetë vjetët e fundit duke punuar së bashku në realizimin e filmave ‘Venom’, të cilët po ashtu fokusohen në temën e shoqërisë mes kryepersonazheve. Nuk e di nëse do të kem fatin ta përjetojë një eksperiencë të ngjashme sërish. Por, mundësia për të punuar në tre filma me mikun tënd të ngushtë, është diçka vërtetë speciale”.

I pranishëm në premierë ishte edhe aktori Chiwetel Ejiofor, i cili tha se e ka shijuar jashtëzakonisht shumë këtë përvojë.

“Gjithçka ishte organike, e lehtë dhe shumë argëtuese. Gjithçka ka shkuar shpejtë, filmi është shumë qesharak dhe mendoj se që të gjithë e kemi shijuar procesin e punës”.

Filmi “The Last Dance” e vazhdon historinë e “Let There Be Carnage” dhe i vë Eddie Brockun, i personifikuar nga Tom Hardy dhe Venomin në një pozitë të vështirë. Ata jo vetëm që janë të arratisur që po ndiqen nga autoritetet, por gjithashtu duhet të përballen me përndjekjen nga disa alienë me pamje të çuditshme.

Ky vazhdim i tretë dhe i fundit i ka të gjitha, skenat aksionin, situatat dramatike dhe momentet komike. Në të luajnë edhe aktorë të tjerë yje si, Chiwetel Ejiofor, Juno Temple, Rhys Ifans, Peggy Lu dhe Stephen Graham.

“Venom: The Last Dance” lansohet për publikun e gjerë të premten, më 25 tetor.