Showbiz

Tom Hardy dhe Netflix vendosin Uellsin në hartën botërore të kinemasë

Tom Hardy

Tom Hardy

Foto: Associated Press

Filmi i ri aksion-thriller “Havoc” me aktorin e njohur Tom Hardy, që po transmetohet në Netflix, pritet të “vendosë Uellsin në hartën botërore” për industrinë e filmit, ka raportuar BBC.

Edhe pse ngjarja zhvillohet në një qytet të paidentifikuar amerikan, i gjithë filmi është xhiruar në Uells, përfshirë skena me ndjekje makinash dhe përplasje me armë. Hardy luan rolin e një detektivi të lodhur dhe të zhgënjyer nga jeta tregon pasojat e një marrëveshjeje droge të dështuar.

Aktori Forest Whitaker është gjithashtu pjesë e kastit, ndërsa xhirimet kanë nisur në vitin 2021 në Uellsin jugor, por u shtynë disa herë për shkak të pandemisë dhe grevës së aktorve dhe skenaristëve në SHBA.

Regjisori nga Uellsi Gareth Evans, i njohur për filmat si “The Raid” dhe seriali “Gangs of London”, qëndron pas këtij projekti. Ai ka treguar se ideja për filmin lindi nga një skenë shumë e veçantë.

“Kisha këtë imazh në kokë: një polic i korruptuar në një vend krimi, ku një marrëveshje droge kishte dështuar, dhe për ndonjë arsye, ai po mbushte një filxhan kafeje me kokainë”, ka treguar Evans.

Sipas tij, ishte “e jashtëzakonshme” kur Hardy pranoi të luante rolin kryesor dhe të shërbente edhe si producent.

“Një nga gjërat më të mira për Tomin është se, ndërsa unë jam në elementin tim me skenat aksion, ai është mjeshtër në ndërtimin e karaktereve moralisht komplekse. Kështu bashkuam dy stile”, ka shtuar ai.

Pavarësisht sfidës për të rikrijuar një qytet amerikan në Uells, Evans, i cili ende jeton në vendlindjen e tij Hirwaun në Rhondda Cynon Taf, ishte i vendosur ta sillte këtë projekt në vendin e tij.

“Fillova të kërkoj nëpër Swansea, Port Talbot, Cardiff dhe Newport për ndonjë element arkitektonik që mund të ngjante me ndonjë pamje amerikane. Nëse arrin ta bësh 30% ose 40% të duket real në kamera, pjesën tjetër e mbulon teknologjia e efekteve vizuale (VFX)”, ka thënë ai.

Disa nga vendet ku u xhirua filmi përfshijnë Brangwyn Hall në Swansea si një komisariat amerikan, kampusi Bay i Universitetit të Swansea për pamje të jashtme të rrugëve dhe një kasolle peshkimi e ndërtuar në zonën rurale të Merthyr Mawr.

Produksioni ishte rezultat i bashkëpunimit mes kompanisë amerikane “XYZ Films” dhe studios nga Uellsi “Severn Studios”. Njëri nga themeluesit e” XYZ Films”, Aram Tertzakian, qëndroi gjatë pandemisë në një vend me qira nga Airbnb në Cardiff për të ndjekur nga afër punën në film.

“Gareth më solli në Uells sepse është patriot i madh dhe donte të gjente mënyra për të bërë filma këtu. Besoj se pas ‘Havoc’, producentët dhe regjisorët do ta shohin Uellsin si një mundësi serioze. Ajo që kemi arritur këtu do t’u ndryshojë mendjen shumë vetave”, ka thënë ai.

Tertzakian ka vlerësuar Uellsin si vend me njerëz punëtorë dhe plot dashuri për industrinë.

“Ke lokacione fantastike, si brenda ashtu edhe jashtë. U kënaqëm shumë gjatë xhirimeve”, ka thënë ai.

Sipas platformës Netflix dhe Creative Wales, “Havoc” është filmi më i madh i realizuar ndonjëherë tërësisht në Uells, përfshirë edhe post-produksionin në Cardiff. Nga viti 2020, prodhimet e Netflix në Uells, përfshirë edhe serialin “Sex Education”, kanë sjellë mbi 200 milionë funte për ekonominë britanike.

“Produksionet si ‘Havoc’ kanë sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe imazhi për vendin tonë është përmirësuar ndjeshëm. Jemi shumë krenarë për industrinë kreative në Uells dhe mbi 35 mijë profesionistët e talentuar që punojnë në të”, ka thënë ministri i Kulturës i Uellsit, Jack Sargeant