Aktori, Tom Cruise, është nderuar me dekoratën më të lartë të ushtrisë së SHBA-së për “kontributet e shkëlqyera” që ka dhënë për ushtarakët përmes roleve të tij në filma.
Roli i Cruise në filmin e vitit 1986 “Top Gun” e çoi atë në majat e famës dhe suksesi rekord i këtij filmi vlerësohet se ka nxitur regjistrimin e ushtarëve të rinj.
Çmimi i shërbimit publik të dalluar iu dorëzua Cruiset gjatë një ceremonie të martën në studion filmike “Longcross” në Chertsey, Surrey, ka raportuar BBC.
Ylli 62-vjeçar ka shprehur mirënjohje për këtë “nderim të jashtëzakonshëm”.
“I respektoj të gjithë ushtarët”, ka thënë Cruise, duke qëndruar pranë Sekretarit të ushtrisë së SHBA-së, Carlos Del Toro, i cili ia dorëzoi atij një certifikatë dhe medalje.
“Unë di se në jetë, diçka që është shumë e vërtetë për mua, është se udhëheqja është shërbim. Dhe e di këtë thellësisht dhe e shoh këtë tek ushtarët dhe ushtaret”, ka shtuar ai.
Ushtria e ka falënderuar heroin e filmave aksion.
Sipas njoftimit, ai “ka rritur ndërgjegjësimin dhe vlerësimin publik për stafin tonë të trajnuar mirë dhe sakrificat që ata bëjnë gjatë shërbimit”.
Cruise ka luajtur rolin e pilotit Maverick në filmin “Top Gun”, një film për pilotët e Luftës së Ftohtë, dhe ndikimi i tij ishte aq i madh saqë bëri që ushtria e SHBA-së të vendoste tavolina rekrutimi në kinematë ku shfaqej filmi.
Ylli i nominuar për çmimin "Oscar" e përsëriti rolin e tij si lejtnanti Pete Mitchell në vazhdimin e filmit që u krijua në vitin 2022, "Top Gun: Maverick”, i cili, sipas ushtrisë, “ringjalli” interesin e rinisë për ushtrinë.
“Tom Cruise ka kaluar gati katër dekada si një mbështetës i palëkundur i burrave, grave dhe familjeve të marinës dhe të trupave detare”, ka thënë Del Toro.
Cruise u nderua gjithashtu për rolet e tij në filmat aksion si “Born on the Fourth of July”, “A Few Good Men” dhe serinë e filamve “Mission: Impossible”.
Cruise aktualisht është në Chertsey, Surrey, duke punuar për filmin e tij të ardhshëm “Mission: Impossible: The Final Reckoning”, që do të publikohet në muajin maj të vitit 2025.
Ky çmim prestigjioz civil iu dha më parë fituesve të çmimeve "Oscar", regjisorit të njohur Steven Spielberg dhe yllit Tom Hanks për punën e tyre në filmin e Luftës së Dytë Botërore “Saving Private Ryan”.