Showbiz

Tina Knowles publikon librin “Matriarch”, zbulon se ishte diagnostikuar me kancer

Tina Knowles

Tina Knowles

Foto: Associated Press

Në librin e saj të ri “Matriarch”, Tina Knowles – nëna e yjeve botërorë Beyoncé dhe Solange – rrëfen për herë të parë sfidat që ka kaluar si grua, nënë dhe sipërmarrëse. Nga fëmijëria në jugun e SHBA-së gjatë segregacionit, deri te mbështetja e vajzave drejt famës botërore, Knowles ka treguar se si ka luftuar për ta ruajtur dinjitetin, krijimtarinë dhe veten.

“E nisa këtë libër kur fillova të mendoja për vdekshmërinë. Ishte një moment i errët në jetën time. U ndjeva e vjetër, e trishtuar. Doja të lija një trashëgimi për fëmijët dhe nipërit e mbesat e mi”, ka thënë ajo për The New York Times.

Knowles, sot 71 vjeçe, ka zbuluar se vitin e kaluar u diagnostikua me kancer të gjirit në fazën 1A. Pas operacionit dhe trajtimit, ajo është pa kancer tash. Ka treguar rreth kësaj përvoje për të cilën thotë se ishte si një pikë kthese.

“Ishte dritarja ime e argjendtë. Tani ndihem e lirë”, tha Knowles.
 

Në libër, Knowles flet për sakrificat që bëri për t’i ndihmuar vajzat të arrinin sukses. Kujton si i preu flokët e veta në xhirimet e videoklipit të parë të grupit muzikor “Destiny’s Child” për t’ia shtuar vajzës së saj, yllit Beyoncé si “extensions”.

“Nuk kishim mjaft, kështu që i preva flokët e mia”, ka thënë ajo.
 

Por “Matriarch” nuk është thjesht një libër me përmbledhje historish prapa skenave. Është rrëfim i sinqertë për jetën e një gruaje që shpesh sakrifikoi veten për të tjerët. Ajo flet për martesën me Mathew Knowles, të cilën e përshkruan si të vështirë dhe të shoqëruar nga tradhti që prej fillimit. 

“Për herë të parë e pranoj publikisht këtë. Për vite të tëra nuk ngrita zërin për veten”, ka shkruar ajo.

Nëna e Beyonces u rrit në një familje me 7 fëmijë. Nëna e saj ishte rrobaqepëse dhe përdorte talentin për të siguruar shkollimin e fëmijëve. Në shkollë, murgeshat e ndëshkonin, sepse nuk i përkiste klasës së profesionistëve afroamerikan të qytetit.

“Më rrihnin dhe më turpëronin. Nëna më kthente sërish në klasë, të kërkoja falje. Kjo më ka ndjekur gjithë jetën. Nga njëra anë isha luftëtare, nga ana tjetër ndihesha e pavlerë”, ka thënë ajo.
 

Përmes librit, Knowles rikthen në vëmendje figurën e dajës Johnny, i cili ndihmoi në krijimin e shumë veshjeve ikonike të Beyoncés dhe që e frymëzoi për albumin “Renaissance”. 

“Doja të tregoja kush ishte në të vërtetë ai, më shumë se thjesht stilist, ai ishte zemra e familjes”, ka thënë ajo.

Dhe megjithëse emrat e famshëm të familjes shfaqen vonë në libër, Beyoncé, Solange e Jay-Z,

“Matriarch” është, para së gjithash, historia e Tina Knowles. 
“Kam frikë akoma. Por kjo është historia ime. Dhe ka ardhur koha që ta tregoj”, ka thënë ndër të tjera ylli.