Showbiz

Nëna e Beyoncés thotë se këngëtarja është person i mbyllur

Fotografi nga Mary Rozzi për The Guardian

Fotografi nga Mary Rozzi për The Guardian

Edhe pse sot është një nga yjet më të mëdha të muzikës botërore, Beyoncé ka qenë gjithmonë një natyrë e qetë dhe e rezervuar, ka thënë nëna e saj, Tina Knowles, sipas të cilës ajo nuk ka ndryshuar as me kalimin e viteve.

Në një intervistë për The Guardian, Knowles ka treguar se Beyoncé ishte një fëmijë i turpshëm që u transformua falë kërcimit.

“Performanca i ndryshoi jetën. Edhe kur ishte e turpshme, kur kërcente dhe bënte shfaqje, ajo ndriçonte. Prandaj e regjistruam në kurse kërcimi. Kur kërcente, nuk kishte më turp”, ka thënë Knowles.

Megjithatë, sipas saj, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, Beyoncé, sot 43 vjeçe, mbetet një person i mbyllur.

“Ajo gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të mbetet e rezervuar. Nuk është ai lloj personi që hyn në një dhomë dhe thotë ‘Ja ku jam!’. Kjo nuk ka ndryshuar. Thjesht, në skenë ajo aktivizon një tjetër personalitet”, ka shtuar ajo.

Knowles gjithashtu ka ndarë edhe disa kujtime për marrëdhënien mes Beyoncés dhe motrës së saj më të vogël, Solange, sot 38 vjeçe. Ajo ka kujtuar periudhën kur Beyoncé ishte rreth 10-11 vjeç dhe nisi të dallonte një distancë midis vajzave.

Beyonce dhe Solange si fëmijë

“U tremba kur Beyoncé mbushi rreth 10 vjeç. Ishte pjesë e një grupi muzikor dhe fëmijët i thoshin Solanges çdo ditë ‘Hesht, Solange’, sepse ajo përpiqej të bënte koreografi apo të merrte pjesë. Ajo kishte dëshirë të ishte pjesë e gjithçkaje, por nuk e pranonin”, ka thënë Knowles në një intervistë për CNN.

Beyoncé madje filloi të kërkonte që Solange të largohej gjatë provave, gjë që e shqetësoi shumë nënën e tyre.

“Më duhej t'i kujtoja Beyoncés se kjo ishte shtëpia e Solanges dhe ajo duhej trajtuar me dashuri. Por ndjeva se nuk po më dëgjonin më, dhe pashë një mur duke u ndërtuar mes tyre, prandaj vendosa t’i çoj në terapi”, ka treguar tutje Knowles.

Edhe pse terapia për fëmijët ishte tabu në atë kohë dhe bashkëshorti i saj i atëhershëm, Matthew Knowles, mendonte se vajzat ishin shumë të vogla për një gjë të tillë, Knowles këmbënguli.

“Nuk po kërkoja leje. E dija që duhej bërë diçka dhe gjetëm një terapist të mrekullueshëm për fëmijë”, ka thënë ajo.

Tina dhe Matthew Knowles

Ndërsa Solange e adhuronte terapinë, Beyoncé nuk ishte aq entuziaste.

“Është interesante, sepse terapisti i tha Beyoncés të njëjtat gjëra që i kisha thënë unë, por nga ai ajo i pranoi, edhe pse e urrente terapinë. Solange, përkundrazi, e donte, e adhuronte të shprehej dhe të fliste”, ka treguar nëna e yjeve.

Tina, Solange dhe Beyonce

Sot, ajo ka thënë se falë asaj ndërhyrjeje në kohë, Beyoncé dhe Solange kanë një marrëdhënie shumë të afërt.
“Rezultati ishte i mrekullueshëm. Ato janë shumë të lidhura që atëherë”, ka thënë ndër të tjera Knowles.