Aktori i njohur i Hollywoodit, Timothée Chalamet, ka befasuar disa fansa me një paraqitje surprizë në një konkurs për ngjashmërinë me të, që u mbajt në New York.
Aktori i filmit “Wonka” u fut në turmën e njerëzve me një maskë dhe kapelë bejsbolli, duke u bashkuar me sozitë e tij në Washington Square Park, çka shkaktoi britma gëzimi nga ata që ishin aty, ka raportuar agjencia AP.
Konkursi, i organizuar nga YouTuberi Anthony Po, premtoi një çmim prej 50 dollarësh dhe tërhoqi një numër të madh pjesëmarrësish, me mijëra që kishin aplikuar online.
Garuesit u pyetën për aftësitë e tyre në gjuhën franceze, planet për të bërë botën më të mirë dhe madje për mundësitë romantike me yllin televiziv, Kylie Jenner, me të cilën është raportuar se Chalamet është në lidhje.


Fituesi i këtij konkursi u shpall Miles Mitchell, 21 vjeç, i cili u shfaq i veshur si personazhi "Willy Wonka "dhe gëzoi turmën duke hedhur bonbone nga një valixhe.
Më herët gjatë muaji, Chalamet gjithashtu tërhoqi vëmendjen me trailerin e ri të filmit “A Complete Unknown”, ku ai luan rolin e Bob Dylan.
Filmi do të lansohet në muajin dhjetor në SHBA, kurse në muajin janar do të shfaqet nëpër kinematë e Britanisë.