Showbiz

Të pastrehët dërgohen jashtë qytetit për t’u lëshuar hapësirë fansave të Taylor Swiftit

Taylor Swift

Taylor Swift

Foto: Associated Press

Një numër njerëzish të pastrehë janë dërguar jashtë Edinburghut për t’i dhënë hapësirë turistëve që shkojnë për performancën e Taylor Swiftit në qytet, mëson BBC.

Strehimorja kryesore në Skoci ka thënë se dhjetëra të pastrehë që i mbështet ishin dërguar me taksi në Aberdeen dhe Glasgow për shkak të mungesës së akomodimit, dhe një personi iu ofrua strehim i përkohshëm në Newcastle.

Strehimorja ka thënë se është padrejtësi që të pastrehët të jenë në këtë garë me turistët.

Këshilli i qytetit ka thënë se po punon për të gjetur akomodim të përshtatshëm.

Taylor Swift do të performojë tri netë në stadiumin “Murrayfield” në Edinburgh nga 7 deri më 9 qershor. Mijëra turistë mendohet se do të vërshojnë në qytet, dhe gara për dhoma hoteli është e vrazhdë.

Strehimorja ka thënë se të pastrehëve në qytet të cilëve zakonisht u ofrohet akomodim i përkohshëm si hotele, po nxirren jashtë qytetit për shkak të vendeve të limituara për shkak të koncertit.

Nuk ka dëshmi se të pastrehët po largohen nga vendi ku veçse kanë qenë duke qëndruar.

Është obligim ligjor që njerëzve që deklarohen të pastrehë në Skoci t’u ofrohen akomodime të përkohshme, që kryesisht janë në formë hotelesh.