Yjet televizive, Billy Crystal, Paris Hilton dhe Eugene Levy janë disa prej të famshmëve, të cilëve iu janë djegur shtëpitë nga zjarret masive që po përhapen në disa lagje të Los Angelesit, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave dhe kanë shkatërruar më shumë se 1,100 ndërtesa deri tani.
The Guardian ka shkruar se gjashtë zjarre masive ishin duke djegur qarqet e Los Angelesit.
Pjesa e pasur e Pacific Palisades, ku jetojnë shumë emra të njohur të Hollywoodit, është shkatërruar që kur zjarret filluan të martën.
Mbrëmjen e së mërkurës, një zjarr tjetër shpërtheu në Runyon Canyon në Hollywood Hills, ku departamenti i zjarrfikësve të Los Angelesit dha urdhër për evakuimin e menjëhershëm të disa pjesëve të lagjes.
Crystal, 76 vjeç dhe gruaja e tij, Janice, konfirmuan se shtëpia e tyre në Pacific Palisades, ku kishin jetuar për 46 vjet, ishte djegur.
“Fjalët nuk mund të përshkruajnë përmasat e shkatërrimit që po përjetojmë. Ne vuajmë për miqtë dhe fqinjët tanë që gjithashtu kanë humbur shtëpitë dhe bizneset e tyre në këtë tragjedi”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të tyre, dhënë të mërkurën.
Ata kanë treguar se kanë jetuar në shtëpinë në fjalë që nga viti 1979.
“Këtu rritëm fëmijët dhe nipërit. Çdo metër i shtëpisë sonë ishte i mbushur me dashuri. Kujtime të bukura që nuk mund të merren. Jemi të thyer, por me dashurinë e fëmijëve dhe miqve do të kalojmë këtë”, ka thënë Crystal.
Shtëpia e aktorit të projektit filmik, “Schitt’s Creek”, Levy, i cili është edhe kryetar nderi i Pacific Palisades, u dogj gjithashtu të mërkurën.
Levy ende nuk ka komentuar, por ka folur me mediat të martën kur ishte bllokuar në trafik gjatë evakuimit.
“Nuk mund të shihja flakët, por tymi ishte shumë i errët”, ka thënë për Los Angeles Times.
Aktori Cary Elwes konfirmoi të mërkurën se familja e tij ishte evakuuar dhe se shtëpia e tij në Malibu ishte shkatërruar.
“Për fat të keq, humbëm shtëpinë tonë, por jemi mirënjohës që kemi mbijetuar nga ky zjarr shkatërrues”, ka shkruar ai.
Aktorja dhe muzikantja Mandy Moore ka postuar në Instagram një video të rrugëve të shkatërruara në Altadena, afër Pasadena-s.
“Sinqerisht, jam e shokuar dhe ndjej një ngërç për gjithçka që shumëkush ka humbur, përfshirë dhe familjen time. Komuniteti ynë është i thyer, por ne do të jemi këtu për të rindërtuar bashkë. Dërgoj dashuri për të gjithë ata që janë prekur dhe për ata që janë në vijën e parë për të kontrolluar këtë situatë”, ka thënë ajo.
Hilton ka thënë se shtëpia e saj në Malibu, ku djali i saj i vogël bëri hapat e parë, gjithashtu u dogj.
"Shkatërrimi është i pabesueshëm. Të dish se ka shumë që po zgjohen sot pa vendin që quajnë shtëpi është vërtet zemërthyese”, ka shkruar ajo.
Të famshëm të tjerë që kanë humbur shtëpitë si pasojë e zjarreve përfshijnë aktorët John Goodman dhe James Woods, yjet e reality show-t Spencer Pratt dhe Heidi Montag, kompozitoren Diane Warren dhe prezantuesen televizive Ricki Lake.
Aktorja Jamie Lee Curtis ka treguar të mërkurën se shtëpia e saj kishte shpëtuar, por ka thënë se kisha e Palisades, të cilën e kishte frekuentuar për dy dekada, ishte shkatërruar.
“Lagjja jonë e dashur është shuar. Shtëpia jonë është e sigurt. Shumë të tjerë kanë humbur gjithçka”, a shkruar ajo në Instagram.
Me industrinë e argëtimit të pezulluar për shkak të zjarreve, Akademia e Filmit njoftoi të mërkurën se do të shtynte afatin për votimin në nominimet për çmimet “Oscar” të këtij viti me dy ditë për shkak të zjarreve.
Ndarja e çmimeve “Critics Choice”, që ishte planifikuar të bëhej të dielën në Santa Monica, është shtyrë për 26 janar.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka firmosur një dekret për shpalljen e një katastrofe federale, që lejon shpërndarjen e fondeve federale për të prekurit nga zjarret, për strehim të përkohshëm dhe riparimin e shtëpive, si dhe hua me kosto të ulët për humbjet e pasurive që nuk janë të mbuluara nga sigurimi.