Aktori Steve Carell ka befasuar nxënësit e shkollave të mesme në jug të Kalifornisë, të prekur nga zjarret shkatërruese në Los Angeles, duke u dhuruar bileta falas për mbrëmjen e maturës. Në një video në Instagram, aktori i njohur nga seriali “The Office” ka njoftuar se po bashkëpunon me organizatën bamirëse “Alice’s Kids” për të mbuluar shpenzimet e mbrëmjes së maturës për maturantët në gjashtë shkolla të mesme në Pasadena, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Zjarret në zonën e Los Angelesit shkatërruan më shumë se 16,000 shtëpi, biznese dhe struktura të tjera, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 29 personave në lagjet Pacific Palisades dhe Altadena, në veri të Pasadenës. Këto zjarre dëmtuan gjithashtu kampuset shkollore, duke trazuar jetën e mijëra nxënësve.
Organizata “Alice’s Kids” do të dhurojë rreth 175,000 dollarë për më shumë se 800 nxënës, duke u mbuluar shpenzimet e biletave të mbrëmjes së maturës, të cilat zakonisht variojnë nga 100 deri në 150 dollarë.
“Shkuarja në mbrëmjen e maturës duhet të jetë një festë, dhe ne dëshironim të ndihmonim që kjo natë e madhe të ishte pak më e lehtë për maturantët, jetët e të cilëve janë përmbysur nga zjarret”, ka thënë Ron Fitzsimmons, drejtori ekzekutiv i “Alice’s Kids”.
Në një video të postuar nga John Muir High School, në një nga shkollat përfituese, shihen nxënësit duke duartrokitur dhe brohoritur teksa marrin lajmin e Carell. Një tjetër shkollë përfituese është Aveson Charter School, kampusi i së cilës për nxënësit nga kopshti deri në klasën e 5-të u dogj gjatë zjarreve, ndërsa ndërtesa për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të 12-ën është dëmtuar dhe është e papërdorshme.
Carell gjithashtu mori pjesë në turneun e hokejit “Skate for LA Strong” javën e kaluar për të mbledhur fonde për ndihmë pas zjarreve.
“Kënaquni, shijoni mbrëmjen e maturës. Dhe mos harroni, ky është Steve Carell”, thotë aktori në fund të videos.