Reperi amerikan Snoop Dogg, i cili më 17 prill mbush 53 vjeç, ka vendosur t’i bëjë një nder të veçantë nënës së tij të ndjerë, duke publikuar një album “gospel” (me këngë fetare) më 27 prill, në ditën kur ajo do të mbushte 74 vjet.
Albumi do të titullohet “Altar Call” dhe do të ketë 21 këngë me frymëzim fetar, ku sipas Dogg, dëgjuesit “do të ndihen sikur janë në kishë”, ka shkruar FemaleFirst.
“E dëgjuat këtu për herë të parë, një album 'gospel'. Zoti është i mirë”, ka thënë ai në një video të postuar në rrjetin social Instagram.
Nëna e tij, Beverly Tate, vdiq në tetor të vitit 2021. Ajo ishte drejtuese kori në kishë për shumë vite dhe ndikimi i saj ka qenë i vazhdueshëm në jetën dhe muzikën e reperit.
“Shpirti i nënës sime do të jetojë përgjithmonë brenda meje”, ka thënë Dogg në një intervistë për Okayplayer.
Ai ka shtuar se ky album është “një reflektim i gjithçkaje që ajo më ka mësuar të përdor, zërin tim për të përhapur dashuri dhe për të shëruar botën”.
Albumi publikohet si një vazhdim i punës së tij të mëparshme me muzikën “gospel”, duke e quajtur këtë projekt “një kapitull tjetër nga ‘Bibla e Dashurisë’”, duke iu referuar albumit të tij të vitit 2018, “Bible of Love”.
Kopertina e albumit “Altar Call” paraqet një foto të nënës së tij me një kapele rozë, veshur me bluzë po ashtu rozë dhe duke mbajtur lule.

Kënga e parë e albumit është titulluar “Mother I Miss You” dhe do të pasohet nga një këngë e re më 18 prill. Në album do të marrin pjesë edhe yje si Jamie Foxx dhe grupi Death Row Mass Choir.
Pas vdekjes së nënës, Dogg pati ndarë një mesazh prekës në Instagram.
“Mami, faleminderit që më sollët në jetë, faleminderit Zot që më dhe një nënë si engjëll ”, shkroi ai krahas një fotoje të tyre.
Reperi ka treguar edhe më parë se nofkën që e bëri të famshëm, “Snoop Dogg”, ia kishte dhënë pikërisht nëna e tij.
“E doja Snoopyn nga ‘Peanuts dhe Charlie Brown’. E shikoja aq shumë sa fillova të dukesha si ai”, pati thënë ylli në një intervistë për Esquire në vitin 2008.