Pasi u kritikuan për performancat gjatë ngjarjeve të inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump, disa artistë kanë mbrojtur vendimet e tyre.
Reperi Snoop Dogg ka performuar në ngjarjen “Crypto Ball” që u mbajt para inaugurimit të Trumpit, duke performuar disa nga këngët e tij më të njohura për udhëheqësit në tregun e kriptomonedhave.
Pavarësisht kritikave nga fansat, që e quajtën “hipokrit” për shkak të qëndrimeve të tij kundër Trumpit në të kaluarën, Snoop Dogg nuk u shfaq i shqetësuar, ka raportuar NYDailyNews.
“Është Crypto, shiko: kam një ‘Crip’ në Crypto Ball, bang bang”, ka thënë Snoop përmes një postimi në rrjete sociale.
Termi “Crip up” është lojë fjalësh që lidhet me “Crip”, një bandë e famshme amerikane me të cilën Snoop Dogg ka pasur lidhje. Në këtë rast, reperi fjalën “crip” e përdori në mënyrë figurative për të treguar një formë fuqizimi, identiteti ose stili që lidhet me këtë kulturë. Reperi u shpreh sikur donte “Të sjellte stilin Crip”, në ballon në fjalë.
Edhe këngëtari i njohur Soulja Boy iu përgjigj kritikave për performancën në ngjarjen e inaugurimit të Trumpit. Ai ka shpjeguar se pranoi të performonte për arsye financiare.
“Më paguan një shumë. Obama nuk më ka dhënë asnjëherë para. Kamala nuk më ka dhënë asnjëherë para. Trumpi më ka dhënë para”, ka thënë Soulja Boy.
Ai ka theksuar gjithashtu se ngjarja nuk ishte ngjarje për Trumpin, por ishte “Crypto Ball”, dhe se nëse do të ftohej përsëri, do të performonte pa hezitim.
Billy Ray Cyrus, këngëtari i muzikës country, befasoi shumë fansa kur u shfaq në “Liberty Ball” pas inaugurimit të Trumpit, duke qenë se vajza e tij, Miley Cyrus, ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj presidentit Trump.
Megjithatë, Billy Ray nuk e komentoi vendimin e tij.
Reperi i njohur Nelly gjithashtu mbrojti performancën e tij në “Liberty Ball”, duke shpjeguar se vendimi nuk kishte të bënte me politikën.
“Performimi për dikë dhe votimi për dikë janë dy gjëra të ndryshme. Mbështetja për dikë është një tjetër gjë”, ka thënë ai.
Reperi ka shtuar se performimi ishte nder dhe se respekton zyrën e presidentit, pavarësisht kush është në detyrë.
“Nëse ushtarët tanë e vënë jetën në rrezik për këdo që është në detyrë, unë mund të performoj”, ka thënë ndër të tjera Nelly.
Në përgjithësi, këta artistë theksojnë se performancat e tyre nuk ishin mbështetje për Trumpin ose politikat e tij, por ishin angazhime profesionale që ata ndiheshin të nderuar t’i realizonin.
Lexo edhe: