Aktorja e njohur Nicole Kidman (57), ka bërë një dedikim prekës për prindërit e saj të ndjerë, në ditën kur nëna e saj do ta kishte festuar ditëlindjen.
Ylli i filmit “Babygirl” ka humbuar babanë e saj Antony në vitin 2014 pas një sulmi në zemër, ndërsa nëna e saj Janelle vdiq shtatorin e kaluar. Ajo ka postuar një fotografi të vjetër të prindërve të saj në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram, ka raportuar FemaleFirst.
“Më mungojnë mami dhe babi kaq shumë në këtë ditë që do të kishte qenë ditëlindja e saj sot. Nuk ka kufi për dhimbjen”, ka shkruar aktorja.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Kidman ka treguar se nuk i vendos “afat” dhimbjes dhe humbjes, duke theksuar se mosha nuk e zvogëlon rëndësinë e humbjes së një prindi.
“Tre muaj më pas dhe njerëzit më thonë, 'po, ishte 84 vjeç, kishte një jetë të mirë...' Por ajo ishte nëna ime. Nuk ka rëndësi çfarë moshe ka dikush. Nuk ka një kufi për dhimbjen, nuk duhet të ketë një afat se kur duhet të ndihesh më mirë. Dhimbja vjen me valë, dhe unë kam të drejtë ta përjetoj dhe ta përballoj në mënyrën time”, pati thënë ajo në një intervistë për CBS Sunday Mornings
Aktorja e projektit filmik “Big Little Lies” është nënë e Bellas 31 vjeçe dhe Connorit 29 vjeç, nga martesa me aktorin Tom Cruise, si dhe ka fëmijët Sunday 16 vjeç dhe Faithin 14 vjeçe me bashkëshortin e saj, muzikantin Keith Urban.
57-vjeçarja ka treguar se është më e vetëdijshme për shëndetin, duke u bazuar edhe në këshillat e nënës së saj të ndjerë.
“Fjalët e fundit që më tha nëna ime ishin: ‘Mbase prit një moment, sepse duhet të kujdesesh për veten, Nicky’. Dhe po e bëj këtë më shumë tani, e u them të njëjtën gjë edhe të tjerëve, sidomos grave. Ne priremi të kujdesemi për të gjithë të tjerët, por harrojmë veten tonë”, ka thënë Kidman.
Aktorja ka theksuar se dëshiron të jetojë sa më gjatë për vajzat e saj, duke pranuar se edhe pse nuk mund ta kontrollojë kohën që ka, do të bëjë më të mirën për të qëndruar pranë familjes.