Në këtë moment të vështirë për Los Angelesin dhe Shtetet e Bashkuara, ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar” 2025 mund të ofrojë një mundësi për të shpëtuar jo vetëm qytetin, por edhe imazhin e vetë ceremonisë.
Kështu ka sugjeruar Steven Zeitchik, autor i një teksti që ka publikuar The Hollywood Reporter.
Ani pse fillimisht kishte planifikuar të fliste për fuqinë që kanë spektaklet e ndarjes se çmimeve në Hollywood, për t’i kanalizuar emocionet e masave, tani ai ka shkruar se duhet bërë një ristrukturim radikal.
Sipas Zeitchik duhet të anulohet pjesa e shpalljes së çmimeve dhe të fokusohet në një ngjarje masive për ngritjen e vetëdijes dhe ndihmën ndaj viktimave të zjarreve.
Të dielën, aktorja e njohur amerikane, Rosanna Arquette, ka sugjeruar në Instagram që “Oscar” duhet të shndërrohen në “ngjarjen bamirëse më të madhe në botë”, duke ofruar një mundësi që do t’i ndihmojë ata që janë prekur nga katastrofat.
Ky ndryshim sipas saj do të ishte një mundësi për ta bërë më shumë se një ceremoni të zakonshme të shpërblimeve. "Do të ishte një ngjarje që do të mund të bashkonte artin dhe bamirësinë, duke i shndërruar 'Oscar-ët' në një aktivitet që ndihmon direkt ata që kanë pësuar humbje.
Propozimi i Zeitchik përfshin disa elementë të reja:
Pjesëmarrësit dhe të ftuarit: Çdo person i nominuar duhet të vijë me një shoqërues që është prekur nga zjarret, si një banor i Altadena ose një profesionist i filmit nga Palisades që ka humbur gjithçka. Kjo do të krijonte një lidhje të fortë ndërmjet fituesve të çmimeve dhe atyre që kanë kaluar vështirësi të mëdha.
Pjesëmarrësit që flasin për viktimat: Kur shpallet fituesi, ai/ajo do të inkurajohet të flasë për shoqëruesin e tij, duke u fokusuar në historinë dhe humbjet e këtij individi. Ky element do të nënvizonte njerëzit e zakonshëm dhe do të humanizonte fituesit, duke i bërë ata të dukeshin më të afërt me publikun.
Pjesa e bamirësisë: Çdo i nominuar do të ketë mundësinë të promovojë një organizatë bamirësie që ka ndihmuar pas zjarreve, si fonde për viktimat, organizata për mbrojtjen e mjedisit, ose grupe të tjera ndihmëse. Kjo do të bëhej në mënyrë të integruar gjatë shpalljes së fituesve, duke e inkurajuar audiencën të kontribuojë përmes mesazheve.
Filmimi në pjesën e shkatërruar: Një pjesë e ceremonisë mund të realizohet nga zonat e shkatërruara nga zjarret, si Palisades dhe Altadena, ku njerëzit mund të ndajnë historitë e tyre të dhimbshme dhe inspiruese.
Ky element, sipas Zeitchik, do të rikthente një nivel autenticiteti që shpesh mungon në ceremonitë e zakonshme “Oscar”, duke sjellë njerëzit e prekur në qendër të vëmendjes dhe duke shpërfaqur pasojat e realitetit.
Ai ka thënë gjithashtu se kjo mënyrë e të bërit këtë spektakël do të ishte një mundësi për të ndihmuar ata që vuajnë dhe për të rikthyer spektaklin në emocione të pastra, ndërkohë që do të ofronte një shfaqje të sinqertë, të prekshme dhe bashkuese.
“Në fund, kjo ngjarje mund të jetë një ‘Oscar për historinë’, që do të ofronte ngushëllim dhe një ndihmë të prekshme për ata që janë në nevojë”, ka shkruar Zeitchik.