Këngëtarja më famë botërore, me prejardhje latine, Shakira, ka thënë se djemtë e saj mendojnë që filmi i shumëpërfolur “Barbie” nuk është i mirë, duke thënë se ky film ka tendencë të “vjedhë” mundësinë e të qenit burrë.
“The Guardian” shkruan se ajo ka thënë se pajtohet me djemtë e saj, duke thënë se “djemtë e urryen filmin, ju duket si zhburrnim dhe unë pajtohem me ta”.
“Më pëlqen pop-kultura kur ka tendencë të rritë fuqitë e feminizmit, pa ua larguar burrave burrninë, në mënyrë që të mbrojnë dikë e të sigurojnë jetë të mirë për gratë. Besoj se ne gratë duhet të japim të gjitha mjetet dhe besimin se mund të bëjmë gjithçka duke mos e humbur esencën, duke mos humbur feminitetin. Mendoj se burrat kanë një qëllim në shoqëri dhe po ashtu edhe gratë. Ne kompletojmë njëri-tjetrin dhe ky ndërveprim nuk duhet të humbet”, ka thënë Shakira se fundmi në intervistë për revistën Allure.
Mënyra se si Shakira e sheh “Barbien”, filmin që mblodhi 1.4 miliardë në arkat filmike nëpër botë, u miratua nga disa komentues konservativë, duke përfshirë skenaristin e gazetarin britanik, Piers Morgan, i cili postoi në rrjete sociale duke thënë “Urraa për Shakirën, më në fund, një grua me profil të lartë e gatshme për të përkrahur burrat në të qenit burra”.
Një tjetër koment negativ për filmin e pati producenti i skenaristi Oliver Stone, i cili pati kritikuar aktorin Ryan Gosling që pranoi të “zhburrnohet” për pak para. Stone, para ngjarjes së madhe të ndarjes së çmimeve “Oscar”, pati kërkuar falje për komentin e tij, duke thënë se: “E vlerësoj filmin për origjinalitetin që ka dhe temat që shtjelloi dhe kam folur si një injorant”.