Superylli kolumbian, Shakira, raportohet se është larguar nga një spital në Lima të dielën, pasi paraprakisht kishte anuluar koncertin e saj në kryeqytetin peruan për arsye shëndetësore.
Mediat lokale raportuan se këngëtarja është larguar nga “Clinica Delgado” disa orë pasi ishte shtruar për shkak të një problemi me barkun, raporton AP.
Shakira ka shpërndarë një deklaratë në llogaritë e saj në Instagram dhe X të dielën pasdite, duke thënë se mjekët e informuan atë se nuk ishte në gjendje të performonte.
“Jam shumë e trishtuar që nuk do të mund të ngjitem sot në skenë. Kam qenë thellësisht e emocionuar për ribashkim me audiencën time të dashur peruane”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja mbërriti në Peru të premten në mbrëmje, ku ishte planifikuar të performonte të dielën dhe të hënën. Vendi është ndalesa e dytë në kuadër të turneut të saj në Amerikën Latine, “Las Mujeres Ya No Lloran”, pas dy netëve në Brazil javën e kaluar.
Fansat latinë i kanë bërë një pritje të ngrohtë Shakirës, pasi turma njerëzish ishin mbledhur në aeroporte për ta përshëndetur.
"Faleminderit për një pritje kaq emocionale, Lima!", kishte shkruar ajo të shtunën në Instagram.
Në deklaratën e saj, Shakira ka thënë se shpreson të shërohet së shpejti.
“Plani im është ta realizoj këtë shfaqje sa më shpejt. Ekipi im dhe promotori tashmë janë duke punuar për një datë të re”, ka shtuar ajo.
Këngëtarja po bën turne në mbështetje të albumit të saj të fundit, “Las Mujeres Ya No Lloran”, në të cilin ajo e paraqet divorcin e saj shumë të njohur me futbollistin, Gerard Pique.