Seriali i njohur australian “Bluey” do të vijë në ekranin e madh me një film që pritet të shfaqet në kinematë botërore në vitin 2027.
Ky film do të prodhohet nga gjigandi i filmave “Walt Disney Co” si dhe “BBC Studios” dhe do të shkruhet dhe drejtohet nga krijuesi i serialit, Joe Brumm, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Aktorët që u japin zërin personazheve kryesore, përfshirë Melanie Zanetti dhe David McCormack, do të jenë të pranishëm në versionin e filmit.
Filmi, që do të jetë i animuar në CGI, do të vazhdojë aventurat e Blueyt, një qenushe e kaltër që është e pasionuar pas lojërave dhe e cila jeton me prndërit dhe motrën e saj më të vogël, Bingo.
Brumm ka shprehur entuziazmin e tij për projektin.
“Gjithmonë kam menduar që ‘Bluey’ meritonte një film për kinema. Dua që ky të jetë një film që e gjithë familja mund ta shijojë bashkë”, ka thënë ai.
Që nga debutimi i tij në vitin 2018, “Bluey” është shndërruar në një fenomen botëror, duke tërhequr audienca nga e gjithë bota me historitë e saj prekëse që flasin për lojën, imagjinatën dhe lidhjet familjare.
Seriali, i cili transmetohet në “Disney Jr.” dhe “Disney+”, ka qenë seriali më i shikuar në mbarë botën në platformën “Disney+” në vitin 2024, duke e forcuar edhe më shumë popullaritetin e tij.
“Që nga debutimi në ‘Disney Jr.’ dhe ‘Disney+’, ‘Bluey’ është shndërruar në një fenomen global, duke bashkuar familjet kudo me historitë e saj të bukura të lojës, imagjinatës dhe lidhjeve familjare e shoqërore”, ka thënë Dana Walden nga kryesia e “Disney Entertainemnt”.