Aktorja Selena Gomez ka thënë se të tregosh hapur që je e dobët ndaj diçkaje është një shenjë e karakterit të fortë.
Ajo ka folur për ndjesitë e saj kur e ka publikuar dokumentarin e saj të vitit 2022, “Selena Gomez: My Mind and Me”, ku ajo ka hapur zemrën dhe ka treguar për vuajtjet e saj me shëndetin mendor dhe fizik.
Ani pse ka thënë se u ndje pak e shqetësuar për daljen e projektit, pasi ndau jetën e saj personale me botën, pas publikimit ka thënë se përjetoi lehtësim të madh.
“Unë besoj fort se një nga gjërat më të forta që mund të bësh është të tregosh hapur kur je i dobët ndaj diçkaje”, ka thënë ajo në një intervistë për “CBS Sunday Morning", ka raportuar FemaleFirst.
Ajo ka cekur gjithashtu se kjo gjë nuk do të thotë se duhet të shpërthesh dhe t’u tregosh gjithçka të gjithëve.
“Unë e mora këtë vendim sepse e dija që nuk isha e vetmja që ndihesha kështu”, ka thënë tutje aktorja.
Këngëtarja ka shpjeguar se kur vendosi të fliste hapur për historinë e saj, e bëri për t'i ndihmuar ata që mund të ndiheshin njësoj.
“Nëse jeta ime është tashmë publike për t’u parë nga të gjithë, doja të tregoja pjesën time të historisë. Dhe përveç kësaj, është një ëndërr ajo që po bëj”, ka thënë Gomez.
Përveç dokumentarit, Selena gjithashtu ka themeluar fondacionin “Rare Impact” në vitin 2022, një fond që mbështet të rinjtë që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
Ajo këtë projekt e ka quajtur “qershinë mbi gjithçka”, duke shtuar se është gjëja më e rëndësishme për të pas familjes.
Këtë vit, Gomez, ka arritur të bëhet miliardere, arritje për të cilën ka shprehur krenari.
Megjithatë, ajo ka thënë se fama dhe suksesi nuk e kanë ndryshuar aspak.
“Nuk i kushtoj shumë vëmendje. Nuk mendoj se diçka rreth meje ka ndryshuar. Nuk mendoj se ndjehem ndryshe. Thjesht jam shumë krenare. Dhe gjithashtu, personalisht, nuk mendoj se është çështja e askujt”, pati thënë ajo për Hollywood Reporter.