Aktorja dhe këngëtarja Selena Gomez, ka treguar se ndihet krenare për origjinën e saj meksikane, e cila sipas saj, ka pasur ndikim të madh në jetën dhe karrierën e saj.
32-vjeçarja ka theksuar se ka krijuar një lidhje të veçantë me gratë e tjera latine në industrinë e argëtimit.
“Prejardhja ime meksikane është diçka që ka ndikuar në gjithë jetën time, dhe jam shumë e vetëdijshme për rëndësinë që ka përfaqësimi. Gjatë këtyre viteve në këtë industri, disa nga gratë më mbështetëse që kam njohur kanë qenë gra të tjera latine. E dua atë lidhje që kemi mes vete”, ka thënë ajo për Billboard.
Në vitin 2021, Gomez ka publikuar albumin e shkurtër “Revelación”, projektin e saj të parë të realizuar kryesisht në gjuhën spanjolle. Ky album ka debutuar direkt në vendin e parë të Top Latin Albums, duke u bërë albumi i parë nga një artiste grua që arrin këtë sukses që prej albumit “El Dorado” të këngëtares Shakira.
“Nuk përqendrohem shumë te statistikat apo listat muzikore, por kur dëgjoj diçka të tillë, ndjej vetëm krenari. Shakira është një ikonë, dikë që e kam admiruar gjithmonë dhe që e dua shumë”, është shprehur Gomez.
Ajo ka shtuar se realizimi i një albumi të tërë në spanjisht ishte dëshirë e kahershme.
“Gjithmonë kam dashur të bëj një projekt të tërë në spanjisht. Gjatë viteve kam publikuar versione në spanjisht të disa këngëve, por një album i plotë në këtë gjuhë kishte shumë rëndësi për mua. Kam punuar shumë që të nderoja rrënjët e mia latine”, ka thënë ylli.
Në vitin 2024, Gomez ka luajtur edhe në filmin në gjuhën spanjolle “Emilia Perez”, një tjetër hap i rëndësishëm për karrierën e saj ndërkombëtare. Ajo ka thënë se e ka shijuar sfidën e të aktruarit në një gjuhë tjetër.
“E shtyva veten drejt hapësirave të pakëndshme, që për një aktore janë më shpërblyeset. Ishte një përvojë magjike dhe puna me regjisorin Jacques Audiard ishte një nga përvojat më të mira që kam pasur ndonjëherë”, ka thënë artistja
Gomez, e fejuar me producentin muzikor Benny Blanco, ka thënë se tani është në një fazë ku po zgjedh me kujdes projektet e ardhshme.
“Po marr kohën time për të gjetur rolin dhe regjisorin e duhur, sepse dua që projekti i radhës të jetë sfidues dhe i papritur”, ka thënë ndër të tjera këngëtarja.