Aktorja Selena Gomez ka shpërndarë një mesazh emocional, i cili tashmë është fshirë, lidhur me aksionet e përhapura të ndalimit të imigrantëve, të cilat u nisën nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe çuan në arrestimin e mbi 1,000 personave në mbarë vendin.
CNN ka raportuar se përmes një videoje që e postoi në Instagram të hënën, ylli i projektit filmik “Emilia Pérez”, që është me origjinë meksikane dhe amerikane, ka shprehur shqetësimin që po ndien.
“Të gjithë njerëzit e mi po sulmohen. Fëmijët. Nuk e kuptoj. Më vjen shumë keq. Doja të bëja diçka, por nuk mundem. Nuk e di çfarë të bëj. Do të provoj gjithçka, premtoj”, ka thënë Gomez duke qarë.
Në fund të videos, ajo kishte shkruar “Më vjen keq” përkrah një emoji të flamurit meksikan.
“Duket se nuk është në rregull të shprehësh empati për njerëzit”, ka shkruar ajo në një tjetër mesazh, postim që gjithashtu është fshirë.
Administrata Trump, të dielën, ka nisur një aksion të gjerë për ndalimin e imigracionit, ku, sipas Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), 956 persona u arrestuan.
Aksionet u zhvilluan në Chicago, California, Texas, Georgia, Colorado, Porto Riko dhe Virgin Islands të SHBA-së, ndërsa disa agjenci, përfshirë ICE dhe disa agjenci të Departamentit të Drejtësisë, morën pjesë në këtë operacion për të arrestuar individë që ata i cilësuan si kërcënim për sigurinë publike dhe atë kombëtare.
ICE ka raportuar për më shumë se 1,100 arrestime deri të hënën, ndërsa operacioni vazhdonte.