Aktorja Selena Gomez ka treguar rreth eksperiencës së saj duke thënë se ndihet e “izoluar” në Hollywood.
Ajo ka inkurajuar çdo vajzë të re që ndihet “e vetmuar” ne industrinë e filmit të shkojë e të flasë me të.
Ylli këtë e ka thënë në një fjalim që ka mbajtur të martën në ngjarjen “Academy Women’s Luncheon” në “Academy Museum of Motion Pictures” në Los Angeles, ka raportuar FemaleFirst.
“E di prej eksperiencës time se sa ‘izoluese’ mund të jetë industria e filmit, por momente si ky e hapësira si kjo, si dhe të flasësh me të gjitha këto gra, ma kujton se nuk jam vetëm dhe nuk jemi vetëm”, i ka thënë ajo publikut të pranishëm, ku përfshiheshin shumë emra të mëdhenj të Hollywoodit, si Ariana Grande, Olivia Wilde, Amy Adams, Pamela Anderson e Sarah Paulson.
Ajo ka treguar arsyen se pse ngjarjet e tilla janë të rëndësishme.
“Ne ndajmë histori me njëra-tjetrën dhe kur qëndrojmë të bashkuara, krijojmë një efekt që zgjatet shumë përtej jetëve tona personale. Prandaj ngjarjet e tilla janë shumë të rëndësishme, janë nderim për arritjet tona kolektive, por gjithashtu janë kujtim se ende kemi punë për të bërë”, ka thënë Gomez.
Ajo i ka inkurajuar të gjitha gratë, që janë të reja në industrinë e filmit, të shkojnë të flasin me të nëse kanë nevojë.
“Gra të reja që po na shihni, dua që ta dini se nëse ndonjëherë ndiheni të vetmuara në ndonjë ngjarje, zakonisht jam duke luajtur ndonjë lojë në telefon, vetëm ejani tek unë dhe do të jem e hapur të flas me ju”, ka thënë ajo.
Ylli, në këtë ngjarje i ka adresuar edhe problemet me shëndetin mendor duke thënë se këto çështje duhet të bëhen prioritet.
“Duhet të ndërmerren masa në mënyrë që komunitetet që deri më tani nuk patën qasje të mjaftueshme nëpër institucione të shëndetit mendor, të kenë hapësirën e nevojshme për të ju drejtuar këtyre institucioneve. Kjo ka të bëjë me faktin se duhet të ju tregojmë atyre, që kur jemi të bashkuara, mund të bëjmë ndryshime të mëdha”, ka thënë ndër të tjera aktorja.