Emisioni ikonik amerikan “Saturday Night Live” (SNL) do të mbyllë sezonin e tij të 50-të me një dyshe yjesh në episodin final: Scarlett Johansson si prezantuese dhe Bad Bunny si i ftuar muzikor. Finalja do të transmetohet më 17 maj, ka konfirmuar NBC të enjten, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Johansson, e njohur për rolet e saj në filma si “Marriage Story” dhe “Black Widow”, është figurë e dashur për publikun e SNL, dhe kthimit të saj në këtë edicion i bashkohen edhe persona të tjerë, për shkak të rubrikës së njohur Weekend Update, ku bashkëshorti i saj, Colin Jost, lexon shaka që shpesh i shkruan kolegu i tij, Michael Che.
Një traditë e kësaj pjese është që Jost të detyrohet të lexojë batuta thumbuese për Johansson, shpeshherë me përmbajtje të sikletshme, për argëtimin e audiencës dhe të saj.
SNL do të transmetojë edhe dy episode të tjera përpara finales:
3 maj – Prezantuese do të jetë Quinta Brunson, krijuese dhe aktore kryesore në serialin komik “Abbott Elementary”, ndërsa këngëtari Benson Boone do të jetë këngëtari i ftuar.
10 maj – Walton Goggins, aktori që po përjeton një pranverë të artë me rolet e tij në projektet filmike “The White Lotus” dhe “The Righteous Gemstones”, do të prezantojë emisionin. Grupi legjendar Arcade Fire do të performojë për herë të gjashtë në skenën e SNL, 18 vjet pas debutimit.
Sezoni i 50-të i SNL ka qenë një festë për trashëgiminë dhe ndikimin kulturor të emisionit që nga viti 1975.