Showbiz

Samuel L. Jackson: Njerëzit thonë se është nder të nominohesh për “Oscar”, por nuk është

Samuel L.Jackson

Samuel L.Jackson

Foto: Associated Press

Aktori i njohur i Hollywoodit, Samuel L. Jackson, për agjencinë “Associated Press” ka thënë se njerëzit shpesh i thonë se “është nder të jesh i nominuar për çmim ‘Oscar’”. Megjithatë, sipas tij “nuk është”. Duke bërë shaka ai ka thënë se është nder që të fitosh.

Teksa po promovonte rolin në filmin “Piano Leson”, të kompanisë “Netflix”, aktori ka thënë se nominimet për çmim “Oscar” nuk është se i bëjnë shumë përshtypje.

Jackson ka fituar një çmim nga Akademia e Filmit për rolin e tij në filmin “Pulp Fiction”, si “aktori më i mirë në rol mbështetës” në vitin 1995.

Skenë nga filmi “Pulp Fiction”:

“Kemi qenë pjesë e këtij biznesi mjaftueshëm gjatë për të kuptuar se kur njerëzit thonë ‘është nder të nominohesh për ‘Oscar’, nuk është. Nder është kur fiton”, ka thënë Jackson duke qeshur.

Ai ka shtuar se kur nominohet njerëzit i thonë “po, më kujtohet kur je nominuar”, ndërkohë që shumica e harrojnë.

“Nuk kam luajtur në filma vetëm për të ushtruar. ‘Ta kryej pjesën time të aktrimit, në mënyrë që të më kujtoni’. Pastaj kur të nominojnë të thonë ‘për cilin film je nominuar?’ E kur përfundon nuk e kujtojnë as kush ka fituar”, ka thënë ai.

Në vitin 2022 Jackson pati thënë për The Times se më vonë e kishte kuptuar se me “Oscarin” për “aktorin më të mirë në rol mbështetës”, e kishte mundur aktorin Martin Landau, për filmin “Ed Wood”.

Në një intervistë për “Volture” vitin e kaluar, Jackson pati thënë se shansi i dytë për të fituar çmim nga Akademia e Filmit i është rrëmbyer, kur as nuk u nominua për rolin në dramën e regjisorit Joel Schumacher, “A Time To Kill”, në vitin 1996.

Varierty, ka shkruar se Jackson dhe “Oscar” nuk shkojnë edhe aq mirë, pasi Jackson më parë do të pranonte të luante rol për filmat e Marvelit, të cilët do t’i siguronin miliona, se sa të ndiqte role që do të mund t’i siguronin nominime për “Oscar”.

“Nuk do të lë asnjëherë që një çmim ‘Oscar’ ta vlerësojë suksesin apo mossuksesin tim si aktor. Suksesin e mati me lumturinë time, se a jam i kënaqur me këtë që po bëj. Nuk bëj role që ndjekin një ‘statujë’”, pati thënë ai për The Times.

Ai pati shtuar se më parë do të luante në filma, nga të cilët njerëzit do të mund të inspiroheshin, se sa të luante ne filma që mund t’i siguronin nomimin për çmim “Oscar”.

“Kjo është ajo që zgjedh të jem dhe jam shumë në rregull me këtë. Jam i kënaqur sepse ky jam unë. Unë jam ai që i them ato vargje që njerëzit mund t’i shohin nëpër bluza. Ka aktor që kalojnë tërë karrierën e askush nuk mund ta citojë ndonjë varg nga filmi që ka luajtur. Njerëzit shkojnë të më shohin se sa ‘i çmendur’ mund të jem në rolet e mija”, ka thënë aktori.

Traileri i filmit “Pulp Fiction”: