Showbiz

Sa do të kushtojë divorci për “Benniferin”?

Ben Affleck dhe Jennifer Lopez

Ben Affleck dhe Jennifer Lopez

Aktori i njohur, Ben Affleck, dhe ylli me prejardhje latine, Jennifer Lopez, në vitin 2021 rinisën romancën epike që pati filluar dy dekada më parë, gjatë xhirimeve të filmit “Gigli”.

Çifti herën e parë është ndarë në muajin janar të vitit 2004, vetëm tri ditë para dasmës që kishte planifikuar, ku Affleck i kishte propozuar Lopezit me diamantin ngjyrë rozë, që kushtoi 2.5 milionë dollarë, diamant ky që futi në trend unazat e  martesës me gurë me ngjyra. Ata vazhduan jetët e tyre, ndërkohë që fitonin shumë të ardhura nga puna që bënin si yje të Hollywoodit.

Lopez, në vitin 2004 u martua me këngëtarin latin Marc Anthony, me të cilin ka binjakët Max dhe Emme, para se të divorcohej nga ai në vitin 2014.

Affleck, në vitin 2005 u martua me aktoren Jennifer Garner, me të cilën ka tre fëmijë, Violet, Seraphina dhe Samuel, para se të divorcoheshin në vitin 2018. Ai pati pranuar se ka pasur probleme me varësinë ndaj alkoolit dhe pati qëndruar në rehabilitim në vitin 2001, 2017 dhe 2018.

Por, Lopez dhe Affleck u ribashkuan, pasi Affleck i dërgoi email në vitin 2021 pasi pa një intervistë të sajën që kishte dhënë për revistën InStyle, duke i thënën se “është femra më punëtore në Hollywood” dhe duke e pyetur se ”si ia del që ende të dukesh kaq bukur?”.

Ata e rinisën lidhjen e tyre duke u bërë kryetitull për të gjitha mediat më në zë, lidhje për të cilën nëna e Lopezit, Guadalupe, pati thënë se vajza e saj “lutej çdo ditë për 20 vite që kjo të ndodhte”.

Këtë herë Affleck i propozoi këngëtares me diamant të gjelbër 5 milionë dollarësh dhe u martuan zyrtarisht më 16 korrik të vitit 2022 në një kishë në Las Vegas. Më 20 gusht ata bënë një tjetër ceremoni martesore për të festuar me miq e familjarë në Savannah të Georgias, në shtëpinë e Affleckut që thuhet se kushton 400 mijë dollarë amerikan.

Lopez pastaj filloi projektet milionëshe, albumin, filmin dokumentar dhe turneun, përmes së cilave donte ta përshkruante historinë e dashurisë së tyre.

Ishte Affleck ai që shkroi skenarin e filmit dokumentar “This is me...Now: A Love Story”, të cilin Lopez e ka vetfinancuar me 20 milionë dollarë, e për të cilin çifti nuk mori shumë kritika të mira.

Lopez, projektin filmik ia dedikoi Affleckut, ashtu siç kishte bërë në vitin 2003 me albumin “This is me...Then”, kurse aktori, pasi qëndronte nën dritën “megavatëshe” të gruas së tij, dukej sikur nuk e donte të gjithë këtë vëmendje mediatike.

“E shoh veten si regjisor, jam pak i ndrojtur, nuk më pëlqen të kem shumë vëmendje”, pati thënë ai në emisionin e komedianit Kevin Heart.

Arsyeja e vërtetë e ndarjes së tyre mund të mos dihet asnjëherë, por në qershor Affleck doli nga shtëpia e përbashkët 60 milionëshe që çifti kishte blerë në Beverly Hills dhe në muajin gusht, në vend të festimit të përvjetorit të dytë të martesës, Lopez dorëzoi e vetme, pa avokat, dokumentet për divorc.

E News ka raportuar se në dokumente Lopez kërkon për mbështetje bashkëshortore, ndërkohë që ka kërkuar nga gjykatësi t’ia mohojë Affleckut të njëjtën gjë.

Revista People, e ka cilësuar “si të pa mend” lëvizjen që bëri Lopez, për të kërkuar divorcin pa avokat, ndërkohë që është shkruar se kjo ndoshta do të thotë se është konsultuar me dikë të kësaj fushe në mënyrë që ta përfundojë procedurën sa më shpejtë.

Gjithashtu, pasi Lopez dorëzoi dokumentet e divorcit, u bë e ditur se çifti nuk kishte asnjë marrëveshje paramartesore, gjë që mund t’i komplikojë shumë gjërat.

Në shtetin e Kalifornisë, çdo pasuri që fitohet brenda periudhës që çifti është i martuar, konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët.

Pasuria që ka Lopez

Sipas revistës Forbes, në vitin 2020, Lopez ishte pjesë e listës “Amerikanet milionere” më një pasuri prej më shumë se 150 milionë dollarëshe, ani pse është raportuar ndërkohë që pasuria e saj është shumë më e lartë. Celebrity Net Worth gjatë këtij viti pati shkruar se  pasuria e Lopezit është diku rreth 400 milionë.

Ajo pati lansuar 6 albume, të cilët janë shitur në më shumë 80 milionë kopje.

Turnetë e këngëtares që  ka mbajtur në vitet 2001 dhe 2019, kanë arritur të grumbullojnë 80 milionë, ndërkohë që turnetë që mbajti në Las Vegas brenda viteve 2016 dhe 2018 kanë gjeneruar 101.9 milionë dollarë të ardhura, duke e bërë turneun më të popullarizuar të të gjitha kohëve për një artiste latine. Raportohet se Lopez vet, ka fituar 500 mijë dollarë për një show.

Lopez gjithashtu ka kontrata marketingu më brende të famshme, si Versace, LOreal Paris, Fiat dhe Gillete. Linja e parfumit të saj “Glow”, që u lansua në vitin 2002 u bë shumë e popullarizuar dhe u zgjerua në 32 aroma ndërkohë që e tërë franshiza tani thuhet të vlejë 2 miliardë.

Në vitin 2023, Lopez iu bashkua linjës së koktejeve të gatshëm alkoolik  “Delola”.

Portofoli i pronave të saj prek shumën prej 97 milionë dollarësh, me prona në Miami, Los Angeles dhe New York, përfshirë pronën 32.5 milionëshe që pati blerë me ish të fejuarin e saj, atletin, Alex Rodrigues në vitin 2020 dhe një penthouse 23 milionësh në Manhattan.

Pasuria që ka Affleck

Revista Forbes, në vitin 2020 pati shkruar se Affleck ka pasuri prej 55 milionësh, ndërkohë që Celebrity Net Worth ka shkruar se pasuria e tij është 150 milionë dollarë amerikan, që kur krahasohet me atë të Lopezit, është shumë më e vogël.

Affleck dhe shoku i tij, aktori Matt Damon, për punën në filmin “Good Will Hounting” të vitit 1997 ishin paguar 600 mijë dollar për shkrim të skenarit, për të cilin patën fituar çmimin “Oscar”. Ai pati bërë bashkëpunime të tjera për krijimin e filmave të tjerë, si “Pearl Harbor” i cili arriti të grumbulloi 449 milionë dollarë në arka filmike dhe “Gone Girl”, i cili fitoi 369 milionë dollarë.

Është raportuar se Affleck ka fituar 10 milionë dhe 20 milionë për rolin e Batmanit, përkatësisht, në filmat: “Batman v Spiderman: Down of Justice” në vitin 2016 dhe “Justice League” në vitin 2017.

Ai gjithashtu ka bërë edhe regjinë për filmat e mirënjohur “Gone Baby Gone” në vitin 2007, “The Town” në vitin 2010, “Argo” në vitin 2012 dhe “Air” në vitin 2023.

Sa i përket pronave, pasuria e tij përfshinë pronën në Georgia (ku u martua me Lopezin), të cilën e bleu për 7.11 milionë dollarë në vitin 2003, një tjetër pronë 51 milionëshe në Brentwood, të cilën ai dhe Garner e kishin shitur në vitin 2018, dhe një tjetër pronë 28. 5 milionë dollarëshe, të cilën e shiti pak pasi u martua me Lopezin.

Skema e pasurisë që fituan “Bennifer” ndërkohë që ishin bashkë:

Projektet me të cilat fitoi Lopez ndërmjet viteve 2022-2024:

  • Filmi: “Shotgun Wedding” (2022)
  • Filmi “The Mother” (2023)
  • Projekti filmik dhe muzikor “This is Me … Now: A Love Story” (2024)
  • Filmi “Atlas” (2024)
  • Brendi i koktejeve “Delola”
  • Marrëveshje të mëdha marketing me brende të njohura si “Coach”

Projektet që bëri Affleck ndërmjet viteve 2022-2024:

  • Filmi “Air” (2023)
  • Filmi “Kiss the Future” (2023)
  • Filmi “Small Things Like These” (2024)
  • Filmi “The Instigators” (2024)

Për më tepër, Affleck dhe Damon, në nëntor të vitit 2022, e themeluan kompaninë “Artists Equity”, e cila ka prodhuar projektin filmik të Lopezit, “This is me…Now: A Love Story” si dhe filmik që nuk është lansuar ende “Kiss of The Spider Women”, ku protagoniste është Lopez.

Në këtë mes qëndron edhe shtëpia 60 milionëshe e Beverly Hillsit, të cilën çifti e ka vënë në shitje para se Lopez ta paraqiste kërkesën për divorc. Ata tani për këtë shtëpi kërkojnë 8 milionë dollarë më shumë.

Në fund, radhitet edhe kostoja e paprekshme e divorcit, e cila prek jo vetëm çiftin, por edhe familjet e tyre dhe mund t’i bëj fëmijët të ndihen të mbingarkuar, shpesh për vite me radhë.

Lopez pati thënë se Affleck është baba shumë i mirë për fëmijët e saj, ndërkohë që edhe ajo është parë shumë e afërt me fëmijët e tij.