Aktori i mirënjohur i Hollywoodit, Ryan Golsing, ka thënë se nuk dëshiron më të marrë përsipër të luajë role depresive. Këtë ka thënë se do të bëjë për shkak të familjes së tij, përkatësisht vajzave të tij Esmeralda e Amada.
Në rolet depresive të Goslingut, përfshihet një baba alkoolik në filmin e vitit 2010, “Blue Valentine”, si dhe ai i një gangsteri në filmin “Only God Forgives”.
Ai luan rolin e një akrobati përkrah aktores Emily Blunt, në filmin e ri “The Fall Guy”. Për këtë rol ylli ka treguar se vajzat e tij i kanë thënë se nuk duan që ai të luajë sekuenca ku i vihet flaka.
“Unë u thash se është një rol shumë i sigurt për ta interpretuar sepse do të ketë shumë masa sigurie të përfshira. Ndërsa ato më thoshin ‘Jo. Jo flakë’ dhe nuk e bëra”, ka thënë aktori për WSJ Magasine.
“Nuk pranoj role të cilat më fusin në gjendje të keqe mendore. Ky moment është ajo çfarë ndjej kur jam në dhomë në shtëpi e kur mendoj se çfarë është me e mira për mua e familjen time. Vendimet që i marr, i marr me Evan dhe i marrim këto vendime duke pasur familjen në mendje”, ka thënë Gosling.
Tutje aktori ka shpjeguar se kur pranoi rolin në filmin “La La Land” u gëzua sepse në shtëpi ai do të kënaqej duke ushtruar për rolin duke kërcyer e kënduar bashkë me vajzat.
“Kur e mora atë rol mendova se do të ishte qejf edhe për ato, sepse edhe nëse nuk do të vinin në shesh xhirim, ato do të këndonin e vallëzonin me mua në shtëpi”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu e ritregoi historinë e pranimit të rolit të tij në filmin e shumëpërfolur “Barbie”. Ka thënë se vajzat luanin gjithnjë me ato kukulla, ndërkohë që kishin edhe kukullën Ken, por që nuk ishin shumë të interesuara për mirëqenien e tij.
“Kur e pranova rolin, vajzat tashmë ishin duke bërë filma të shkurtër për Barbiet e tyre nëpër Ipadë, prandaj fakti se po shkoja në punë për të bërë një të tillë, mu duk sikur jemi në të njëjtën frymë”, ka shpjeguar aktori.