Aktori i mirënjohur i Hollywoodit, Ryan Gosling, i ka bërë thirrje Akademisë së Filmit, që në kategorinë e shpërblimeve për çmime “Oscar”, t’i fusë edhe aktorët e akrobacioneve.
Golsing ka deklaruar se përmes filmit, "The Fall Guy", ka krijuar një kampanjë për këtë çështje, që të insistojë te shefat e çmimeve “Oscar”, të sjellin kategorinë e re, në mënyrë që ta njohin punën e aktorëve akrobat.
“Ata janë personat që punojnë më së shumti në showbiznes. Ky film është vetëm një kampanjë gjigande për të iu dhënë akrobatëve një “Oscar”. Ne jemi fytyra e këtij filmi, por akrobatët janë ata që e bëjnë filmin dhe kjo është një letër dashurie për ta”, ka thënë Gosling për Deadline.
Aktori më parë ka treguar se sa shumë e vlerëson punën e aktorëve akrobatë.
“Ata vishen sikur ne, bëjnë gjërat e rrezikshme për ne. Ata marrin grushte në vendin tonë, ata e vënë veten në rrezik për ne. Ata luajnë karakteret tona ashtu sikur ne, sepse edhe ata janë aktorë, në të njëjtin union. Por ata fshehin fytyrën dhe zhduken ndërmjet hijesh dhe të gjithë bëhen kinse s’kanë qenë fare aty. Sa më të mirë që janë në punën që bëjnë, aq më shumë zhduken. Por kjo do të përfundojë tash. Do të ndërrojmë skenarët”, pati thënë Gosling për BBC.
Ai ka thënë gjithashtu se akrobatët rrezikohen më shumë se gjithkush dhe se puna e tyre është një formë arti që vihet përkushtim mbi të njëjtë sikur për kostumet dhe grimin.
Në filmin e ri, Gosling, luan përkrah aktores së mirënjohur Emily Blunt, e cila pajtohet me të për punën që bëjnë akrobatët.
“Akrobatët janë trajnuar për këtë punë, kanë kurajë përtej fjalëve dhe mendoj se ata janë modest të lindur, as nuk e ndjejnë nevojën për të transmetuar punën që bëjnë. Por mendoj se ka ardhur koha ta bëjmë ne”, ka thënë Blunt.
Ryan Golsing dhe Emily Blunt, luajnë në filmin e ri “The Fall Guy”, në të cilin bëhet fjalë për aktorët akrobat.