Ylli i mirënjohur i Hollywoodit, Selena Gomez, ka treguar rreth tmerrit që e përjeton nga rrjetet sociale.
31 vjeçja e cila shpesh bën pauza nga mediat sociale në mënyrë që të ikë nga negativiteti qw sipas saj ia ofrojnë, ka folur hapur rreth kësaj çështjeje në samitin e organizuar nga revista prestigjioze Times, “TIME100”.
“Mendoj se rrjetet sociale janë frustruese. Por ndonjëherë filloj të flas shumë sepse dua t’i mbroj njerëzit që i dua”, ka thënë ajo.
Ylli beson se është me rëndësi që kohë pas kohe të bëhen pauza prej rrjeteve sociale në mënyrë që njerëzit të kenë një sens të së ardhmes.
“Bëra një pauzë katërvjeçare, ndërkohë që lejova ekipin tim të bëj postime për mua në ato vite. Ndihem sikur ia kam dhënë vetes dhuratën më të mirë”, ka shpjeguar Gomez.
Ndërkohë, këngëtarja pati folur hapur rreth problemeve që ka pasur me shëndetin mendor viteve të fundit dhe ka pranuar se kjo eksperiencë ka qenë shumë “çliruese”.
“Nuk më pëlqen të jap këshilla sepse nuk i kam të gjitha përgjigjet. Duhet të gjesh një familjar apo një shok me të cilin ndihesh i lirë të flasësh për çfarëdo. Është ndjesi e mirë kur flet hapur me dikë. Ka forcë në të qenit i pambrojtur”, pati thënë Gomez për Wondermind.
Aktorja tani është në lidhje me producentin muzikor Benny Blanco.