Puna dhe jeta private e yllit

Rrëfimi i Rita Orës për "Grazia": Si u bëra zëri i atyre që s’patën zë

Rita Ora

Ballina e revistës "Grazia"

Këngëtarja me famë botërore me origjinë shqiptare, Rita Ora, e ka mbuluar ballinën e revistës italiane, "Grazia", ku ka folur rreth jetës së saj.

Ajo ka thënë se është person shumë “përtokë” dhe se e bën të pamundurën të qëndrojë ashtu si është.

Ora ka thënë se nuk di si të mos jetë vetja dhe se sinqeriteti është një nga superfuqitë që ka.
“Nuk di t’u përgjigjem pyetjeve, nëse nuk flas nga zemra”, i ka thënë Ora Laura Antonia Jordanit, gazetares së revistës, ndërsa piu kafe me të në një pasdite në Londër.

Ajo ka thënë se i pëlqen kur flet me njerëz të cilët ndihen rehat përgjatë bisedës me të dhe i pëlqen të jetë e sinqertë, e besueshme dhe e hapur ndaj njerëzve.

Këngëtarja ka thënë se i pëlqen po ashtu t’i dijë historitë e njerëzve e t’i kuptojë ata, duke mos i interesuar se kush janë e nga vinë, gjë që sipas saj, shoqëria e vlerëson si veti pozitive tek ajo.

Ora ka thënë se i pëlqen shumë moda dhe se kjo është një ndër arsyet që e shtyu të bëjë bashkëpunim me markën e veshjeve “Primark”, koleksioni i tretë i së cilës do të dalë në shtirje gjatë këtij muaji.

Ora ka treguar së bashkëpunimi me këtë markë ka ndodhur shumë spontanisht, ndërsa ishte në një bar në New York, ku i takoi drejtuesit e saj, të cilët shkoi e i përshëndeti për t’u treguar se është rritur duke veshur rroba nga dyqani i tyre. “Biseda përfundoi duke bërë bashkëpunimin. Është një gjuhë që s’flitet ‘Primarku’. Gjithnjë mund të mbështetesh te ky dyqan. Është ‘shoku’ më i besueshëm”, ka thënë Ora.

Ajo ka treguar se kjo markë është një ndër arsyet se pse asaj nuk i pëlqen snobizmi i modës, pasi që bashkëpunimi me një markë si “Primarku” nuk ia uli asaj vlerësimin që ka edhe rreth markave prestigjioze të modës së lartë, me të cilat pati bashkëpunime të ndryshme.

“E gjithë kjo ka të bëjë me respektin që kam për krijimtarinë e disenjatorëve prestigjioz dhe respektin që kam për stilin e rrugës duke bërë kombinim ndërmjet të dyjave. Mendova se kjo mund të ishte një mundësi disi ‘cool’ për dikë si unë që mori pjesë në ngjarje të mëdha të modës si Met Gala, e që kam bërë kampanja të mëdha me disenjatorët më të mëdhenj të modës të të gjitha kohëve, të bëj diçka që lidhet me botën në të cilën unë jam rritur”, ka qartësuar ylli.

Rita, e cila ka lindur në Kosovë në vitin 1990, ishte vetëm një nga personat, që prindërit e morën, bashkë me motrën Elenën, e ikën nga regjimi jugosllav i asaj kohe, për të shkuar për të jetuar në Londër të Britanisë.

Ajo ka thënë se mendimi i saj për periudhën e jetës si refugjate, ka të bëjë me diçka më të madhe sa veç një mendim i saj. Sipas saj, kjo gjë erdhi si një mundësi e jashtëzakonshme, e cila e bëri atë të ndihet me fat që “mund të ishte zëri i të tjerëve që kanë ëndrra, por s’kanë zë”.
"Grazia" shkruan se Ora sot ka famë edhe në fusha të tjera përveç muzikës. Siç shkruan revista, njerëzit kanë mendime rreth Orës, pasi ajo është prezente në syrin publik qe një dekadë tashmë.

“Vishem me veshje të çmendura, flas në mënyrën si flas, kam mendime, jam e sinqertë dhe mendoj se të qenit e famshme dhe e sinqertë është diçka që i kënaq shumë njerëzit”, ka thënë ajo duke qeshur.

Ajo ka thënë se mendon që fama e saj vjen si rezultat i transparencës që kishte që nga fillimi dhe njerëzit e dinë se si është ajo tash dhe e kuptojnë kush është.

“Jam treguar shumë e zëshme sa i përket prejardhjes sime, nga vij e si flas”, ka thënë Ora.
Ndërkohë që jo gjithmonë janë shkruar gjëra pozitive për të në media, ajo ka thënë se do të gënjente nëse do të thoshte se nuk shqetësohet.

“Pasi jam në syrin publik e mbianalizoj veten 100 për qind, por mundohem të mos i marr personal titujt, mendoj se kjo ka ndikuar për të mirë”, ka treguar këngëtarja.

Ajo më tutje ka thënë se ndërsa ishte në të 20-tat e saj jeta e saj ishte disi e shthurur, por tani që është në të 30-tat është komplet ndryshe. Ka treguar se tani po do të kujdeset më shumë për veten dhe ka dashur të bënte ndryshime edhe te lidhjet romantike.

“Ti jep gjithçka nga vetja dhe pret të njëjtën gjë nga partneri, por kur kjo nuk ndodh, mund ta krahasoj me një ndeshje me makinë, një katastrofë. Do të mbetesh gjithnjë e pakënaqur. Unë isha ky person dhe ende nganjëherë pres që njerëzit të bëjnë për mua ashtu siç bëj unë për ta, e pastaj mbes e zhgënjyer. Kjo është diçka natyrale. Por vetëm ti mund t’i përmbushësh standardet e nivelin e personalitetit tënd”, ka thënë artistja.

Ajo ka thënë se në kohën kur e kuptoi se standardet e saj i përmbush vetëm vetja e saj e takoi aktorin e regjisorin e filmit nga Zelanda e Re, Taika Waititi. Çifti ishin shokë për pesë vjet, deri sa ajo e kuptoj se ai ishte personi i duhur për të e i propozoi për martesë.

Ora e Waititi janë martuar vitin e kaluar në një ceremoni private në Los Angeles. “S’kemi bërë asnjë plan për dasmë, vetëm kemi ndjekur ritmin”, ka thënë ajo.

Kur bëhet fjalë për lidhjet e saj të mëparshme, Ora ka thënë se ka qenë periudhë e larmishme.

“Është gjë e mirë se mund të zgjedhim çka duam për vete. Disa gra nuk mund ta bëjnë këtë zgjedhje. Kam mësuar shumë nga të gjitha zgjedhjet që kam bërë, e të gjitha vendimet që kam marrë”, ka thënë ylli.

Sot ajo thotë se ka arritur qetësi e është pjekur pasi që në një industri si showbiznesi “mund të mos jesh kurrë e kënaqur edhe sikur t’i fitosh të gjitha çmimet e të kesh arritur gjithçka që ke dashur nuk është kurrë boll”.

“Gjithnjë do të jesh duke thënë ‘ po tash çka?’. Ne duhet të ndihemi mirë në brendi të vetvetes. Duhet të sigurohesh që kur bën diçka, ta bash se e do atë punë”, ka thënë shqiptarja.

Ora ka thënë se do të vazhdojë të krijojë muzikë, të krijojë veshje, të luajë role në filma dhe se ëndrrat e saj nuk kanë limit.

“Më pëlqen të shoh se ende mund t’i prek njerëzit. Mos u habisni, fëmijët janë shumë të mençur, e dinë kur nuk je vetvetja”, ka përfunduar Rita Ora.

Rita Ora në revistën Grazia

LEXO EDHE: