Showbiz

Roy Ayers, krijuesi i hitit “Everybody Loves the Sunshine” ka vdekur në moshën 84-vjeçare

Roy Ayers

Roy Ayers

Foto: Associated Press

Muzikanti Roy Ayers, pionieri i muzikës jazz-funk dhe krijuesi i hitit të famshëm “Everybody Loves the Sunshine”, ka vdekur në moshën 84-vjeçare. Sipas familjes së tij ai vdiq më 4 mars 2025 në New York pas një sëmundje të gjatë. 

“Ai jetoi 84 vjet të bukura dhe do të na mungojë shumë",  thuhet në njoftimin e familjarve në Facebook. Ata kanë njoftuar se një ceremoni për të nderuar jetën e tij do të mbahet së shpejti, ka raportuar The Guardian.

Performanca e Roy Ayers në festivalin Glastonbury në vitin 2019:

I lindur më 10 shtator 1940 në Los Angeles, Ayers u rrit në një familje muzikantësh, babai i tij luante trombonin, ndërsa e ëma ishte pianiste. Një moment vendimtar në fëmijërinë e tij ndodhi kur ishte vetëm pesë vjeç, kur legjenda e vibrafonit Lionel Hampton i dhuroi një palë shkopinj vibrafoni, duke ndezur tek ai një pasion të përjetshëm për këtë instrument, ka raportuar NPR.

Karriera muzikore e Ayers ka nisur në fillim të viteve '60 me orientim në jazz-in hard-bop. Albumi i tij i parë, "West Coast Vibes", u publikua në vitin 1963. Në fillim të viteve ’70, ai krijoi grupin Roy Ayers Ubiquity, duke kombinuar ritmet funk dhe improvizimet jazz. Albumi i tij i vitit 1976, “Everybody Loves the Sunshine”, përmban këngën e titulluar njësoj, e cila u kthye në një simbol të stilit të tij unik.

Gjatë karrierës së tij, Ayers bashkëpunoi me artistë të ndryshëm si Fela Kuti, Rick James dhe Erykah Badu. Muzika e tij është përdorur gjerësisht nga artistët e hip-hop-it dhe R&B-së, përfshirë Dr. Dre, Mary J. Blige dhe A Tribe Called Quest, duke treguar ndikimin e tij të madh në zhanre të ndryshme.

Roy Ayers la pas bashkëshorten, Argerie, dhe fëmijët e tyre, Mtume dhe Ayana Ayers. Familja e tij ka kërkuar privatësi në këtë kohë dhe ka bërë të ditur se së shpejti do të organizohet një ceremoni për nder të jetës së tij, ka raportuar People.