Showbiz

Robbie Williams: Kërkesat për fotografi nga adhuruesit më shkaktojnë ankth

Robbie Williams

Robbie Williams

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur britanik, Robbie Williams, ka folur hapur për betejat e tij me famën dhe mënyrën se si kërkesat për fotografi nga fansat ndikojnë negativisht në shëndetin e tij mendor.

Në një postim të gjatë në Instagram, këngëtari 51-vjeçar ka treguar se gjatë një udhëtimi me avion në SHBA, ka përjetuar disa situata që i shkaktuan shqetësim dhe ankth, ka raportuar FemaleFirst.

“Isha në një fluturim mbi Amerikë. Kam pasur tri ndërveprime me pasagjerë. Njëri më dha një letër të mrekullueshme me fjalë të ngrohta për dokumentarin tim dhe më kërkoi një fotografi”, ka shkruar ai.

Robbie ka treguar se ndonëse nuk e refuzoi, vendosi t’i përgjigjej me një letër ku shpjegoi se kishte vetëm dy orë gjumë dhe se ishte përballur me stresin e udhëtimit me katër fëmijë.

“I shkrova një letër. Shpjegova që isha zgjuar që në 4:30 të mëngjesit, kisha vetëm dy orë gjumë dhe kisha katër fëmijë me të cilët po endesha nëpër aeroport. Jam i lodhur dhe po përballem me ankth”, ka shkruar tutje këngëtari.

Ai ka shtuar se frika e vëmendjes së tepruar nga pasagjerët e tjerë i shkakton ndjenjë paniku, veçanërisht në SHBA ku, siç thotë ai, “nuk jam i famshëm këtu”.

“Nëse dikush bën fotografi me mua, të gjithë pasagjerët do të fillojnë të pyesin se kush jam. Dhe unë nuk jam i famshëm këtu. Kjo vëmendje më shton ankth edhe më shumë”, ka shkruar Robbie.

Ai ka pranuar se e sheh këtë situatë si një shërbim ndaj të tjerëve, por nuk është gjithmonë e lehtë, duke shtuar se njerëzit shpesh mendojnë që personat e famshëm gjithnjë duhet të jenë në dispozicion të të tjerëve.

“Ka një lloj ligji të pashkruar: si i famshëm, duhet të jesh i qasshëm 24/7. Duhet t’i përshëndesësh të gjithë të panjohurit sikur je kryetari i qytetit më të mrekullueshëm në botë”, ka thënë këngëtari, duke shpjeguar se shumë prej njerëzve që kërkojnë selfie nuk janë domosdoshmërisht adhurues të vërtetë.

Në fund të postimit, Robbie ka rrëfyer edhe momente të vështira personale që mund të ndikojnë në gjendjen e tij emocionale në momentin kur dikush i kërkon një foto.

“Ndoshta jam duke folur me nënën time për demencën e saj. Ndoshta po mendoj për Parkinson-in e babait. Ndoshta jam thjesht… i trishtuar”, ka shkruar më tej ylli.

Ai e ka përfunduar postimin me një thirrje për mirëkuptim dhe ndjeshmëri.

“Unë nuk po them mos kërkoni. Mund të kërkoni. Por le të kujtojmë se njerëzit e famshëm janë po aq njerëz sa kushdo tjetër. Le t’ua japim të gjithë njerëzve, të famshëm apo jo, privatësinë për dëshirat dhe nevojat e tyre. Sepse shumica prej nesh thjesht përpiqen të mbrojnë veten, mendërisht, fizikisht, ose të dyja”, ka shkruar Williams, postimi i të cilit mori mbështetje nga personalitete të njohura si Kris Jenner, Adam Lambert, Aimee Lou Wood e Paris Hilton.