Këngëtari Robbie Williams ka rrëfyer së fundmi se është përballur sërish me probleme të shëndetit mendor, pavarësisht se kishte menduar se e kishte lënë pas këtë kapitull.
51-vjeçi, i cili njihet që është shprehur publikisht rreth betejave të brendshme psikologjike, ka zbuluar se është ndier “i trishtuar, në ankth dhe në depresion”.
“Nuk më kishte ndodhur një gjë e tillë prej shumë, shumë kohë. Kanë kaluar rreth 10 vjet... Mendova se isha në fund të harkut. Mendova se kjo ishte fundi i tregimit tim dhe se do ecja drejt një bote të mrekullueshme. Prandaj rikthimi i kësaj gjendjeje më hutoi”, ka thënë ai për The Mirror për problemet që i përjetoi në fillim të vitit.
Ish-anëtari i grupit “Take That” ka pranuar se tani ndihet më mirë, por ka kujtuar një periudhë kur ndryshoi skajshmërisht dietën e tij, deri në atë pikë sa pësoi skorbut, një sëmundje që lidhet me mungesën e vitaminës C dhe që dikur prekte marinarët e shekujve të kaluar.
“Pushova së ngrëni dhe nuk po merrja lëndët ushqyese. Një sëmundje e piratëve të shekullit të 17-të! Por kur vuan nga dismorfia trupore, kur njerëzit të thonë se janë të shqetësuar për mënyrën si dukesh, ti mendon: ‘E arrita’. Kur dikush të thotë ‘jemi të shqetësuar se je shumë i dobët’, ti e përkthen me mendje si ‘jackpot, arrita në ‘tokën e premtuar’”, ka shpjeguar ylli.
Krahas betejave personale, Williams ka treguar edhe një moment gazmor me familjen. Ai ka treguar se fëmijët ndonjëherë janë të painteresuar për famën e tij, edhe kur këndon përpara dhjetëra mijëra njerëzve.
“Bëra një koncert në Mynih për 125,000 njerëz, vendi po shpërthente nga entuziazmi, po këndoja ‘Let Me Entertain You’… ndërkohë djali im, Charlie, ishte me kokën ulur, duke luajtur në iPad”, ka thënë ai me shaka. “Por në ‘Hyde Park’ vitin e kaluar, pasi përfundova performancën, ai më pa me sy tjetër, e më pas e kuptoi se babai i tij është dikush më shumë se vetëm ai që i thotë ‘mos u sill keq’ ose ai që bëhet si polic në shtëpi”.
Ai dhe gruaja e tij, Ayda Field, janë prindër të katër fëmijëve: Teddy, Charlie, Coco dhe Beau.