Showbiz

Rita Ora shkëlqen në premierën e filmit të ri, “Descendants”

Rita Ora

Rita Ora dhe kasta e aktorëve të filmit të ri të studios “Disney”, “Descendants: The Rise of Red”, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën hollywoodiane të këtij projekti.

Këngëtarja dhe aktorja me prejardhje kosovare, Ora, e portretizon personazhin negativ në film, “Queen of Hearts”, krahas aktores Brandy, e cila e përsërit rolin e Cinderellas pothuajse tri dekada pasi e kishte portretizuar princeshën e popullarizuar në filmin e vitit 1997.

“Queen of Hearts sigurisht që është ikonike. Është personazh që ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Kur mu ofrua ky rol, kisha shumë ide se si doja ta personifikoja. Mua më pëlqen t’i luaj rolet negative. Megjithëkëtë kam bërë shumë hulumtime rreth personazhit sepse mendoj që antagonistët janë goxha kompleks, dhe duke qenë një prej personazheve të vetme negative në film, doja të ishte e veçantë. Mendoj se e kemi arritur këtë qëllim. Ajo ishte e zgjuar, sharmante, pikante, e ftohtë, jo shumë e afërt me vajzën e saj. Por, ky ishte plani nga fillimi”, deklaroi Ora në premierë.

Aktoret e reja, Kylie Cantrall dhe Malia Baker, i luajnë rolet e vajzave të personazheve Queen of Heart dhe Cinderella, dhe filmi e ekranizon rrugëtimin e tyre prapa në kohë, për të provuar që ta ndalojnë mbretërimin djallëzor të mbretëreshës Queen of Hearts.

“Kam kaluar shumë mirë në sheshin e xhirimeve. Të gjithë më thoshin se ky personazh nuk i përshtatej karakterit tim. Por kjo është arsyeja pse më pëlqeu roli. Më pëlqeu sfida dhe doja ta përfshija veten në diçka të jashtëzakonshme dhe më ndryshe nga projektet e kaluara. Unë mendoj se personazhet negative më shkojnë për shtati. Nuk e di pse, por po e shijoj ndjesinë që ma ofrojnë këto role. Kur kam qenë fëmijë i adhuroja antagonistët në filma. Gjithmonë kam qenë adhuruese e Ursulas më shumë se e sirenës Ariel”, tha tutje Ora.

Paolo Montalban, i cili kishte luajtur krahas Brandyt në filmin e vitit 1997, në rolin e Princit Sharmant, po ashtu e përsërit rolin në këtë projekt. Pjesa tjetër e kastës së aktorëve përbëhet nga, Dara Reneé, Ruby Rose Turner, Morgan Dudley, Jeremy Swift dhe Melanie Paxson. Që të gjithë qenë të pranishëm në premierë.

Filmi i katërt në serinë e projekteve “Descendants”, tashmë ka filluar të transmetohet në platformën Disney+.