Këngëtarja me famë botërore, me origjine shqiptare, Rita Ora, ka thënë se në qershor do të vijë me projekt të ri muzikor.
Lajmin e ka bërë të ditur të martën në emisonin e yllit Kelly Clarkson, ku ishte e ftuar.

“Nuk i kam treguar ende askujt. Është diçka e re. Është diçka krejtësisht e re për mua”, ka thënë Ora.
Përveç kësaj, këngëtarja ka thënë se do të shkojë në turne e do të marrë pjesë në disa festivale.
Ajo ka bërë të ditur se më 2 qershor do të performojë në festivalin “Mighty Hoopla”, në Londër, ku adhuruesit mund të dëgjojnë live këngët e saj të reja. Më pas ajo ka thënë se do të performojë edhe në festivalin “Panama Open Air” në Gjermani, si dhe në të tjera festivale në Hungari, Rumani e Sllovaki përgjatë verës.
“Mezi po pres të rikthehem në turne. Më duket se moti s’kam mbajtur asnjë koncert. Nuk kam realizuar turne qe një kohë të gjatë dhe ndihem sikur kam nevojë të rikthehem në rrënjët e mia muzikore, ka ardhur koha të këndoj”, ka shtuar Ora, duke thënë se së shpejti do t’i publikojë datat.
Albumi i fundit i saj, “You & I” u lansua në qershor të vitit të kaluar, i cili kishte këngët “Praising You”, “Don’t Think Twice” si dhe “You Only Love Me”, në videoklipin e të cilës dha lajmin se është martuar me regjisorin Taika Waititi.

“Me këngën ‘You only love me’ dhe albumin e ri, doja të tregoja dobësitë që kam në jetë të përditshme, përmes të cilave jam hapur ndaj dashurisë dhe kam hyrë në një fazë të re në jetën time”, pati thënë Ora në një deklaratë për shtyp.
“Të mësosh nga e kaluara për të krijuar hapësirë për përvoja të reja është një proces thellësisht personal dhe mendoj se kam arritur ta shpreh këtë përmes muzikës sime. Rrugëtimi nuk ka qenë edhe aq i thjeshtë, por më ka bërë më të fortë dhe më ka mbushur me më shumë dashuri se që kam menduar se do të jetë e mundur ndonjëherë”, pati thënë Ora.