Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, është shprehur se ndihet e shkatërruar nga lajmi për vdekjen e yllit të “One Direction”, Liam Payne.
Payne vdiq të enjten në Argjentinë pasi dyshohet se ka rënë nga ballkoni i katit të tretë. Është raportuar se 31-vjeçari ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit.
Në një shkrim në rrjetet sociale, Ora ka thënë se e ka zemrën e thyer.
Ora dhe Payne kishin bashkëpunuar për hitin “For You”. Tani, 33-vjeçarja ka thënë se kjo këngë merr kuptim të ri për të.
“Jam e shkatërruar. Ai kishte shpirtin më të mirë, nuk do ta harroj kurrë. Më pëlqeu shumë të punoja me të –ishte thjesht gëzim i madh të isha pranë skenës dhe jashtë saj me të. Ky lajm tragjik më thyen zemrën. Duke dërguar gjithë dashurinë dhe lutjet e mia për familjen dhe të dashurit e tij. Kënga jonë “For You” merr një kuptim krejtësisht të ri për mua tani. Prehu në paqe”, ka shkruar ajo.