Showbiz

Rita Ora dhe Taika Waititi e inspirojnë njeri-tjetrin tërë kohën

Rita Ora dhe Taika Waititi

Rita Ora dhe Taika Waititi

Rita Ora ka treguar për jetën e saj me burrin, Taika Waititi. Ylli i popit dhe regjisori i Hollywoodit janë martuar fshehurazi në vitin 2022 dhe krijuesja e hitit “I Will Never Let You Down” ka dhënë një vështrim të shkurtër të jetës së tyre së bashku, duke treguar se si ata janë gjithmonë “plot me ide” si krijues.

“Ne e inspirojmë njëri-tjetrin. Unë si muzikante dhe ai shkrimtar, regjisor dhe krijues filmi, është një shtëpi plot ide. Dhe të dy jemi shenja zjarri. Pra, ka vetëm zjarr, zjarr, zjarr”, ka thënë 33-vjeçarja për agjencinë e lajmeve, E!. “Unë jam qesharakja e çiftit, dua ta dini këtë. Por në fakt, ne gjithmonë e ndihmojmë njëri-tjetrin”.

Rita më herët ka shpjeguar se ka dashur ta mbante dasmën private për një kohë, meqë ka ndarë shumë me fansat gjatë dekadës së fundit.

“Doja ta mbaja sekretin e dasmës sa më gjatë të ishte e mundur. Kam qenë në sy të publikut për një kohë dhe gjithmonë ia kam dhënë publikut një pjesë timen. U ndjeva mirë që kisha një sekret”, ka thënë Ora për revistën OK!.

Këngëtarja e njohur – që i propozoi vetë Taikas për martesë – ka shtuar se edhe miqtë e saj ishin të shqetësuar se e kanë humbur dasmën përpara se ajo të ftonte vetëm tetë nga më të afërmit dhe më të dashurit e saj në ceremoninë private në Los Angeles.

“Shumë miq të mi thanë, ‘O Zot, e kemi humbur’. Iu thashë se do të gjejmë një zgjidhje. U ndjeva e qetë – sepse jeta ime nuk është e qetë!”, ka thënë ylli.

Rita është njerkë e dy fëmijëve të Taikas që i ka me ish-gruan e tij Chelsea Wistanley dhe është e hapur ndaj idesë për të pasur fëmijë të vet.

“Nuk ka ndryshuar shumë në jetën time, tani vetëm kam shoqëri. Por meqë Taika është nga atje (Zelanda e Re), është e rëndësishme që fëmijët të kenë një shtëpi”, ka thënë Rita. “Fëmijët do të vijnë kur të vijnë. Unë besoj në univers”.